Procesi gjyqësor i Trumpit në Xhorxhia nuk mund t’i kalojë gjykatës federale

Amerika

Procesi gjyqësor i Trumpit në Xhorxhia nuk mund t’i kalojë gjykatës federale

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 17:12
Donald Trump

Ish shefi i kabinetit të ish presidentit Donald Trump, Mark Meadows, të martën dorëzoi një mocion për ta zhvendosur procesin gjyqësor kundër tij në Xhorxhia tek një gjykatë federale.

Ekspertë të drejtësisë presin veprime të ngjashme edhe nga ekipi ligjor i ish presidentit dhe 17 të pandehurve tjerë, në aktpadinë lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Por, sipas ekspertëve, shanset që mocione si këto të miratohen, janë të vogla.

Sipas ekspertëve ligjorë çdo përpjekje për të zhvendosur betejën ligjore të Donald Trumpit nga një gjykatë e shtetit të Xhorxhias tek një gjykatë federale, me shpresë për të zgjedhur një juri më të favorshme për ish presidentin, ka të ngjarë të dështojë.

Ish shefi i kabinetit të zotit Trump, Mark Meadows dorëzoi dje një mocion për të zhvendosur rastin në një gjykatë federale. Ai, ish presidenti dhe 17 të tjerë, u paditën këtë javë nga Prokurorja e Qarkut të Fultonit, për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

Zoti Meadows do të mundohet të argumentojë se kjo çështje i përket gjykatës federale.

Nëse ka sukses, kjo do të thotë se anëtarët e jurisë, që do të vendosnin për fajësinë, ose pafajësinë e tyre, mund të zgjidhen nga një rajon shumë më i gjerë se sa qarku Fulton, i cili mbështeti me shumicë dërmuese demokratin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, Eric Segall thotë se përpjekja e zotit Meadows do të vononte procedurat, por, në fund të fundit, sipas tij, mocioni duhet të hidhet poshtë, nëse gjykatat zbatojnë ligjin në mënyrë korrekte.

“Kërkesa për zhvendosje të gjyqit do të sjell vonesa. Ky do të jetë një process i ndërlikuar dhe i çrregullt. Donald Trumpi dhe të pandehurit e tjerë duhet t’i humbasin këto mocione. Sipas ligjeve, kjo është një çështje e humbur. Megjithatë, gjykatat më të ulëta federale dhe Gjykata e Lartë kanë ndryshuar shumë gjatë tre viteve të fundit dhe vërtetë nuk mund të parashikohet se çfarë mund të ndodhë. Por, nëse zbatojnë ligjin bazuar në fakte, këto mocione duhet të rrëzohen”, thotë zoti Segall.

Zoti Trump mund të bëjë të njejtën kërkesë. Por, profesorja e drejtësisë, Caren Morrison, thotë se nëse ndiqen faktet, asnjë prej kërkesave nuk duhet të miratohet.

Prova kryesore në këtë rast është telefonata pas zgjedhjeve të vitit 2020 që zoti Trump i bëri zyrtarit më të lartë zgjedhor në Xhorxhia, sekretarit të këtij shteti, Brad Raffensberger, të cilit i kërkoi që t’i gjente votat e mjaftueshme për të përmbysur humbjen. Zoti Raffensberger nuk pranoi./VOA

“A ishte detyra e tij që ta thërriste Sekretarin Raffensberger dhe t’i kërkonte 11 mijë vota? Nëse kjo është pjesë e rregullt e punës së presidentit, atëherë po, çështja mund të çohet në gjykatën federale. Por nëse ushtrimi i trysnisë mbi zyrtarët lokalë nuk është pjesë e punës së presidentit,atëhere gjyqi nuk mund të transferohet diku tjetër. Askush nuk e di se si do të veprojnë gjykatësit. Por mendoj se në përgjithësi, nuk është një rast që mund të fitohet”, thotë zonja Morrison.

Në qershor, zoti Trump u përpoq të zhvendoste në një gjykatë federale procesin kundër tij në Nju Jork, ku ai akuzohet se ndryshoi të dhënat e biznesit, për të fshehur një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur.

Kërkesa e tij u mohua muajin e kaluar.

Megjithatë, sipas ekspertëve ligjorë, këtë herë, shanset e zotit Trump janë më të larta.

“Lidhja midis kujdesit që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të qenit president janë më të mëdha, krahasuar me një pagesë për një aktore të filmave për të rritur dhe të qenit president”, thotë ekspertja Morrison.

Por, provat e rastit e vështirësojnë miratimin e një mocioni për ta zhvendosur çështjen në gjykatë federale.

“Faktet janë të qarta. Ata po përpiqeshin të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve, jo të ruanin integritetin e procesit”, thotë eksperti Seagall.

Në një postim në rrjete sociale, zoti Trump e ka quajtur aktpadinë një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht dhe ka akuzuar prokuroren Fani Willis, se po përpiqet të dëmtojë fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat