Kanada - Gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve në pyje

Amerika

Kanada - Gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve në pyje

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në provincën British Columbia të Kanadasë, pasi zjarret shkatërruese të pyjeve vazhduan të përhapeshin në rajon të premten.

Kryeministri i British Columbia, David Eby bëri njoftimin për të gjithë provincën në bregdetin e Paqësorit dje në mbrëmje në platformën X, e njohur më parë si Twitter.

Më herët, disa shtëpi dhe banesa rreth qytetit të njohur turistik të West Kelowna në liqenin Okanagan, ishin përfshirë nga flakët.

Gjendja e jashtëzakonshme ishte shpallur tashmë për qytetin, ku banojnë 36 000 banorë.

Nga zjarret është përfshirë edhe qyteti i Kelowna, me një popullsi prej gati 150 000 banorësh në anën e kundërt të liqenit.

Sipas autoriteteve, zjarret pritet të përhapen edhe më tej.

Në të gjithë krahinën, 15 000 banorëve u është kërkuar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Një paralajmërim evakuimi ishte në fuqi për më shumë se 20 000 banorë të tjerë.

Zjarret e ashpra pyjore shpërthyen gjithashtu në Territoret Veriperëndimore fqinje të Kanadasë.

Kanadaja, prej disa muajsh po lufton me zjarret në disa pjesë të vendit.

Zjarret në pyje janë një fenomen vjetor në shumë pjesë të Kanadasë dhe, herë pas here i detyrojnë njerëzit të evakuohen.

Ky vit, është sezoni më i keq i njohur i zjarreve në historinë e vendit.

Në funksion të ndryshimeve klimatike gjithnjë në përkeqësim, ekspertët kanë paralajmëruar se zjarret do të ndodhin më shpesh dhe do të jenë më shkatërrues.

“Në provincat e Kanadasë perëndimore, temperatura mesatare është rritur me 1,9 gradë Celsius që nga mesi i shekullit të 20-të”, sipas Departamentit të Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat