Nënpresidentja Harris lavdëron përpjekjet e administratës për të inkurajuar energjinë e pastër

Amerika

Nënpresidentja Harris lavdëron përpjekjet e administratës për të inkurajuar energjinë e pastër

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 20:29
Kamala Harris

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris shënoi përvjetorin e Vendimit për Zvogëlimin e Inflacionit duke lavdëruar përkushtimin e administratës së Presidentit Biden për të zbutur krizën klimatike. Nga Siatëll, raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris shënoi njëvjetorin e Vendimit për Zvogëlimin e Inflacionit – legjislacionin e rëndësishëm të miratuar nga administrata e Presidentit Biden, që promovon energji të pastër – në Siatëll, në kompaninë vendase McKinstry, e përqëndruar në teknologjinë e pastër. Vizita e saj përkoi me valën e të nxehtit që ka goditur këtë pjesë të Amerikës.

“Çdo ditë rreth e qark botës, ndikimi i krizës klimatike është i zymtë, është i dukshëm – ne po e shohim me sytë tanë. Gjithandej nëpër vendin tonë, shohim komunitete që po goditen nga thatësia, përmbytjet dhe stuhitë. Të gjithë po lutemi për banorët e Mauit”, tha nënpresidentja.

Ndonëse nuk kanë shpallur situatë të jashtëzakonshme klimatike, zyrtarët e administratës së Presidentit Biden theksojnë nevojën urgjente për të përshpejtuar zgjidhjet për prodhimin e energjisë së pastër. Zonja Harris i kujtoi audiencës se administrata amerikane ka dhënë rreth 1 trilion dollarë për të inkurajuar zhvillimin e ekonomisë së energjisë së pastër në Amerikë.

“Me këto investime, po krijojmë miliona vende pune në sektorin e energjisë së pastër, punë që paguhen mirë. Po rindërtojmë sektorin e prodhimit këtu në Amerikë dhe po i japim shtytje inovacionit amerikan, siç ju këtu e njihni mirë”, tha ajo.

Shteti i Uashingtonit, me industrinë e zhvilluar të teknologjisë dhe të hapësirës ajrore, është përfitues i stimujve për zhvillimin e energjisë së pastër – duke filluar nga ripërdorimi i hapësirave prodhuese për prodhimin e baterive për makinat elektrike e deri te mbështetja e bizneseve të vogla, që punojnë për prodhimin e karburantit për aviacion jo me bazë fosile.

“Vendimi për Zvogëlimin e Inflacionit luajti rol qendror te përqëndrimi në mundësitë e inovacionit për energji të pastër në Shtetet e Bashkuara. Andaj, kur ka stimuj për të blerë makina elektrike, që janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara, është puna jonë që të ndihmojmë duke zbuluar teknologjitë përkatëse, duke rritur prodhimin dhe duke projektuar sisteme integruese, që mundësojnë përparimin e shpejtë”, thotë Daniel Schwartz, Drejtor i Institutit për Energji të Pastër.

Instituti për Energji të Pastër pranë Universitetit të Uashingtonit në Siatëll ka mbi 100 kompani që hulumtojnë, krijojnë prototipe dhe testojnë produktet e energjisë së pastër, duke përdorur mjete inovative, siç është një printer i veçantë, që me lehtësi prodhon panele elastike diellore.

“Teknologjia është gati. E fusim në përdorim në momentin që e krijojmë. Mendoj se njëra ndër pyetjet kryesore është se sa shpejt po e krijojmë teknologjinë? Si t’i nxjerrim mineralet pa e dëmtuar ambientin? Për shembull, për bateritë me litium, në të kaluarën përdornim shumë kobalt. Tani, kemi hequr nga përdorimi rreth 90 për qind të kobaltit”, thotë zoti Schwartz.

Kritikët thonë se mbështetja për zgjidhje të këtilla që nuk janë testuar mjaftueshëm, mund të përjashtojë nga tregu furnizuesit tradicionalë të energjisë dhe do të rriste çmimet për shfrytëzuesit. Përkrahësit e Vendimit për Reduktimin e Inflacionit theksojnë nevojën urgjente për t’u përballur me sfidat klimatike.

“Ndryshimi klimatik është i papranueshëm, duhet të mposhtet me çdo çmim”, thotë Jay Inslee, Guvernator i shtetit të Uashingtonit.

Vota e Nënpresidentes Harris ishte vendimtare për të siguruar miratimin e legjislacionit për energji të pastër para një viti në Senatin amerikan. Sot, ajo është e bindur se kjo nismë ishte rruga e duhur, për të përmbushur qëllimin për zvogëlimin e emetimit të gazeve të dëmshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat