​Zjarret, provinca kanadeze British Columbia shpall gjendje të jashtëzakonshme

Amerika

​Zjarret, provinca kanadeze British Columbia shpall gjendje të jashtëzakonshme

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Provinca kanadeze British Columbia (B.C.) shpalli gjendje të jashtëzakonshme pasi zjarret e furishme shkaktuan evakuimin e 15.000 njerëzve dhe për 20.000 të tjerë u caktua gjendje gatishmërie për evakuim.

“Vetëm në 24 orët e fundit, situata ka evoluar dhe u përkeqësua mjaft shpejt në orën e fundit. Sonte, si rezultat i këtij përkeqësimi të shpejtë, po shpallim gjendje të jashtëzakonshme provinciale. Kjo masë u komunikon njerëzve në gjithë krahinën seriozitetin e situatës së përkeqësuar me të cilën po përballemi”, tha kryeministri i provincës David Eby në një konferencë shtypi.

Një numër i konsiderueshëm pronash janë shkatërruar në zonën e qytetit Kelowna, raportoi Korporata Kanadeze e Transmetimeve (CBC). Kelowna ka një popullsi prej 150.000 banorësh, transmeton Anadolu Agency.

Fluturimet janë anuluar në aeroportin e Kelownas pasi prioritet u është dhënë aeroplanëve që luftojnë zjarret, tha CBC. Deri mbrëmë u regjistruan rreth 366 zjarre që po vazhdonin në provincë.

Bowinn Ma, ministri i Menaxhimit të Emergjencave në British Columbia, tha se për 20.000 banorë është caktuar gjendje gatishmërie evakuimi dhe të tjerët në rajon duhet të grumbullohen dhe të jenë gati të largohen me një njoftim të shkurtër, pasi situata po “përshkallëzohet me shpejtësi”.

Në një moment, zjarrfikësit mbetën të bllokuar teksa po shpëtonin njerëzit që nuk e kishin evakuuar zonën sipas urdhrit.

“Nëse merrni urdhër evakuimi, ju lutemi largohuni”, tha kryeministri Eby.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat