Përpjekjet për rimëkëmbjen e rajonit të shkatërruar nga zjarret në Havai

Amerika

Përpjekjet për rimëkëmbjen e rajonit të shkatërruar nga zjarret në Havai

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 15:20

Numri i viktimave nga zjarret në Havai arriti mbrëmë në 115, thanë autoritetet. Por, sot ka tërhequr vëmendjen historia e një të mbijetuari, i cili u detyrua të kalonte një javë në bregdet, pa patur mundësi për të kontaktuar familjen.

Phillip Hudelson i mbijetoi zjarrit që dogji pothuajse të gjithë ishullin e Mauit.

“Nuk besoja atë që po shihja, gjithçka po digjej.”

Ai u largua me motoçikletë nga zjarri që filloi të përhapej me shpejtësi në Maui dhe kaloi disa ditë në kushte të vështira në mjedis të hapur.

“Nuk dija çfarë të bëja. Qëndrova në plazh për një javë. Kisha një karrige pushimi, në të cilën flija menjëherë pas perëndimit të diellit”, thotë ai.

Zjarret përfshinë komunitetin në Lahaina, duke djegur shtëpitë dhe duke e lënë atë pa asnjë mundësi për të kontaktuar familjen.

Motra e tij shkoi në ishullin e Mauit në kërkim të vëllait.

“Mendova se më mirë ishte të vija këtu dhe ky ishte një vendim i mirë. E gjeta atë këtu”, thotë Dana Condrey, motra e të mbijetuarit Pillip Hudelson.

Historia e tyre është një burim shprese për të tjerët në përpjekjet e vështira të rimëkëmbjes së ishullit të shkatërruar nga zjarret.

Presidenti Biden shkoi të hënën në Lahaina, ku kaloi mbi një orë duke folur në një takim me komunitetin e qytetit të shkatërruar.

“Gjithë vendi është i pikëlluar, ju mbështet dhe do të bëjë gjithçka është e mundur për t’ju ndihmuar që të rimëkëmbeni dhe të rindërtoni qytetin, duke respektuar kulturën dhe traditat tuaja”, tha Presidenti Biden.

Tashmë kanë filluar të shfaqen shenjat e para të kthimit të normalitetit. Në një shkollë në pjesën perëndimore të ishullit të Mauit, të hënën filloi viti i ri shkollor për rreth 100 nxënës të zhvendosur ose të ndikuar nga zjarret. Ky është një hap i mirëpritur në drejtim të rimëkëmbjes.

Shenjat e shpresës vazhdojnë të shfaqen mes tragjedisë së rëndë që ka goditur ishullin.

“Jam i lumtur që më në fund arrita të kontaktoj familjen dhe t’u tregoj se jam mirë. Ndjehem i bekuar. Është një fund i lumtur”, thotë i mbijetuari Phillip Hudelson.

Më shumë se 800 njerëz ende janë në listën e personave të pagjetur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat