Autoritetet në Florida: Sulmi në Xheksonvill me motive raciste

Amerika

Autoritetet në Florida: Sulmi në Xheksonvill me motive raciste

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 23:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Tre persona u vranë pasditen e së shtunës në një dyqan në Xheksonvill, të Floridas. Autoritetet e konsiderojnë sulmin me armë zjarri me motive racore. Autori i sulmit, një i ri i bardhë 21 vjeç, i cili më pas u vetëvra, kishte lënë shënime në kompjuter për familjarët e tij, ku shprehte urrejtjen ndaj afrikano-amerikanëve.

Autoritetet lokale të zbatimit të ligjit publikuan të dielën emrin e personit të armatosur, duke e identifikuar atë si Ryan Christopher Palmeter.

Njësi të shumta të policisë u angazhuan në Xheksonvill kur një person i armatosur hapi zjarr brenda një dyqani “Dollar General”.

“Xheksonvilli ka pësuar humbjen e tre jetëve të çmuara nga duart e një sulmuesi të armatosur”, tha Sherifi Waters.

Policia thotë se i dyshuari, hyri në dyqan i veshur me paisje luftarake, një automatik dhe një pistoletë, që cilat i posedonte me leje. Tre persona u vranë, përpara se autori të merrte edhe jetën e tij. Autoritetet thanë se të tre viktimat ishin afrikano-amerikanë – dy burra dhe një grua.

FBI-ja thotë se po heton.

“Krimet e urrejtjes janë dhe do të mbeten gjithnjë përparësi kryesore për FBI-në, pasi ato nuk janë thjesht një sulm ndaj viktimës, por se ato synojnë të kërcënojnë dhe frikësojnë një komunitet të tërë”, tha agjentja e FBI-së, Sherri Onks.

Kryebashkiakja vajti menjëherë tek vendi i sulmit.

“Jam sigurisht e lënduar. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të dekurajuar këtë lloj urrejtjeje”, tha kryebashkiakja Donna Deegan.

Sipas hetuesve, i dyshuari i dërgoi babait të tij një mesazh pasditen e së shtunës, duke i kërkuar që të shikonte materialet në kompjuter. Familja i telefonoi në vazhdim zyrës së sherifit të Qarkut Clay, pasi konstatoi shënime të lëna nga autori i sulmit.

Pjesë të manifestit detajojnë ideologjinë neveritëse të urrejtjes. E thënë më thjesht, ky sulm me armë ishte me motive raciste dhe ai i urrente afrikano-amerikanët”, tha Sherifi Waters.

Qyteti Xheksonvill po mban zi tashmë.

“Njerëzit në këtë komunitet janë lënduar dhe me shumë të drejtë. Kjo nuk ka asnjë kuptim. Jam tepër e zemëruar tashmë dhe kemi fëmijë në këtë komunitet që po përjetojnë gjithë këtë situatë të panevojshme”, tha anëtarja e këshillit bashkiak Ju’coby Pittman.

Në një reagim të tij, Presidenti Joe Biden tha se e shtuna, dita kur vendi shënoi 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, një moment themelor në historinë e Shteteve të Bashkuara, përfundoi në një tjetër akt dhune me armë, nxitur nga urrejtja.

Presidenti tha se ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet "duhet të themi qartë dhe me forcë se supremacia e bardhë nuk ka vend në Amerikë".

Ai shtoi se "amerikanët duhet të refuzojnë të jetojmë në një vend ku familjet e afrikano-amerikanëve që shkojnë në dyqan apo të studentëve afrikano-amerikanë që shkojnë në shkollë, të jetojnë me frikën se mos vriten për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre".

"Heshtja është bashkëpunim dhe nuk duhet të heshtim", përfundonte deklaratën e tij Presidenti Biden./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat