Stuhia Idalia shkakton përmbytje dhe dëme të tjera në katër shtete amerikane

Amerika

Stuhia Idalia shkakton përmbytje dhe dëme të tjera në katër shtete amerikane

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Stuhia tropikale Idalia shkaktoi reshje të dendura shiu të enjten në shtetin amerikan të Karolinës së Veriut, një ditë pasi ajo goditi Floridën me fuqinë e një uragani.

Qendra Kombëtare e Uraganeve njoftoi se stuhia shkaktoi përmbytje të gjera në zonat bregdetare të Karolinës së Veriut dhe ajo pritet të zhvendoset në Oqeanin Atlantik më vonë gjatë ditës.

Uragani Idalia goditi bregun e Gjirit të Floridës herët të mërkurën me erëra me shpejtësi prej 200 kilometrash në orë dhe shira të dendura, raporton VOA.

"Çatia e shtëpisë u dëmtua ndërse unë ndodhesha brenda saj me tre fëmijët dhe nipin. Vajza ime është në muajin e pestë të shtatzënisë. Kështu që ajo ishte shtrirë në anën e shtratit ku ra çatia. Por, unë arrita ta tërhiqja atë nga shtëpia", tha Belond Thomas, banor i qytetit të Perit në Florida.

Stuhia Idalia shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për gati 500 mijë banorë në Florida dhe Xhorxhia, përmbyti zonat bregdetare në Florida dhe solli të paktën një tornado në Karolinën e Jugut.

Stuhia Idalia pritet të mbërrijë në Bermuda të dielën. Ishulli u përball të mërkurën me përmbytje të shkaktuar nga uragani Franklin.

Autoritetet njoftuan se të paktën dy persona u vranë në aksidente automobilistike të lidhura me motin në Florida, ndërsa Xhorxhia raportoi një vdekje si pasojë e stuhisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat