SHBA do të diskutojë sfidat madhore ndërkombëtare me vendet e ASEAN-it

Amerika

SHBA do të diskutojë sfidat madhore ndërkombëtare me vendet e ASEAN-it

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 15:16
Kamala Harris

Mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore, kriza në Mianmar dhe lufta në Ukrainë janë çështje kyçe që do të trajtohen nga nënpresidentja Kamala Harris në takimin e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN-it, javën e ardhshme në Xhakarta të Indonezisë.

Në vizitën e fundit, vitin e kaluar në Azinë Juglindore, nënpresidentja Kamala Harris dënoi veprimet agresive të Pekinit në rajon dhe bëri një ndalesë në ishullin Palavan në Filipine, rreth 330 kilometra në lindje të ishujve të debatueshëm Spratly në Detin e Kinës Jugore.

Në Xhakartë të Indonezisë, javën e ardhshme në takimin me udhëheqësit e ASEAN-it, zonja Harris do të flasë edhe për rrugë jetike detare, ndaj të cilave kanë pretendime Kina, Tajvani dhe katër vende anëtare të ASEAN-it, Vietnami, Filipinet, Malajzia dhe Brunei.

“Nënpresidentja Harris do të diskutojë edhe për situatën në Detin e Kinës Jugore, gjatë takimeve të saj në Xhakartë. Ajo do të riafirmojë mbështetjen tonë për lirinë e lëvizjes detare, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë lirinë e lundrimit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Në mesin e temave të tjera të rëndësishme është edhe kriza në Mianmar, ku mijëra vetë janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur që nga puçi ushtarak i vitit 2021. ASEAN-i nuk ka arritur ta detyrojë këtë vend anëtar që të kthehet në demokraci. As sanksionet e ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato nga Shtetet e Bashkuara nuk kanë sjellë rezultate.

"Në Mianmar, ne duhet të ushtrojmë trysni ndaj regjimit ushtarak për të ndalur dhunën, për të zbatuar planin pesë pikësh të ASEAN-it dhe për të mbështetur një kthim në qeverisjen demokratike", thotë Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Zonja Harris pritet gjithashtu të dënojë agresionin rus në Ukrainë. Ashtu si në rastet e situatave në Mianmar dhe në Detin e Kinës Jugore, reagimi i ASEAN-it nuk ka qenë shumë i fortë, duke shprehur vetëm shqetësime për pasojat e luftës pa denoncuar Rusinë, një furnizuese e rëndësishme e armëve në rajon.

Disa ekspertë të rajonit kanë ngritur gjithashtu pyetjen mbi mungesën e Presidentit Biden në takim.

“Ndoshta është një shuplakë për Indonezinë. Sepse nëse shohim programin kryesor të Indonezisë për takimin, në fakt është Forumi Indo-Paqësor i ASEAN-it, në të cilin nuk do të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara”, thotë Idil Syawfi nga Qendra Parahyangan për Studime Ndërkombëtare.

Takimi i udhëheqësve të vendeve të ASEAN-it në Xhakartë do të merren edhe me një tjetër sfidë rëndësishme. Kryeqyteti indonezian ka qenë një nga qytetet më të ndotura në botë këtë muaj, pasi autoritetet po përballen me një rritje të smogut toksik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat