SHBA dhe debati mbi dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

Amerika

SHBA dhe debati mbi dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përpoq të siguronte Ukrainën të dielën se ajo do të vazhdojë të mbështetet nga aleatët e saj perëndimorë. Megjithatë, Rusia të dielën organizoi zgjedhje vendore në katër zona të Ukrainës që i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme dhe Moska duket e vendosur të vazhdojë përpjekjet për të marrë nën kontroll më shumë territor në Ukrainë.

Zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën në 79 rajone ruse dhe katër provinca ukrainase, të aneksuara në mënyrë të paligjshme nga Moska. Zgjedhjet në rajonet e pushtuara u kritikuan ashpër nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Zyrtarët rusë të zgjedhjeve thanë se forcat e Kievit u përpoqën t'i sabotonin ata.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili javën e kaluar vizitoi Ukrainën, tha për emisionin “This Week” të kanalit ABC se ai nuk ka parë shenja se presidenti Vladimir Putin dëshiron të angazhohet në diplomaci serioze për t'i dhënë fund konfliktit. Rusia filloi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

“Të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë, por ajo duhet të përfundojë me kushte të drejta dhe të qëndrueshme, që pasqyrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.”

Sekretari Blinken theksoi vuajtjet që po përjetojnë civilët ukrainas si rezultat i sulmeve ruse. Ai u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, të cilat mund të arrijnë objektiva në thellësi të territorit rus.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për sistemet e armëve, por edhe për trajnimin e ukrainasve për përdorimin e tyre, mirëmbajtjen dhe përdorimin në mënyrë efektive si pjesë e strategjisë së tyre. Ne çdo ditë po punojmë në këtë drejtim. Çështja e afateve është vendim i tyre, jo i yni”, thotë ai.

Javën e kaluar zëdhënësi i Presidencës ruse, Dmitry Peskov minimizoi rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Kievin.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe ta mbajnë atë, në fakt, në gjendje lufte deri në vdekjen e ukrainasit të fundit, duke mos kursyer asgjë për këtë. Kështu e perceptojmë ne. Ne e dimë këtë. Kjo nuk do të ndikojë në ecurinë e ‘operacionit special ushtarak’”, tha ai.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e vlerësoi si “një sukses absolut” takimin e fundit të grupit të 20 ekonomive më të zhvilluara të botës në Nju Deli.

Deklarata e takimit nuk dënoi në mënyrë direkte sulmin rus ndaj Ukrainës, por Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha për kanalin ABC se mbështetja për Kievin ishte pjesë e deklaratës.

“Vendet po i ndjejnë pasojat dhe duan që agresioni rus të ndalet, dhe mendoj se deklarata pasqyron mbështetjen e fortë që pothuajse çdo vend i G20-ës ka për Ukrainën”.

Sekretari Blinken theksoi gjithashtu se bllokada e Rusisë ndaj eksporteve të grurit ukrainas po përkeqëson gjendjen e furnizimit me ushqime në mbarë botën. Moska përsëriti këtë fundjavë se kushtet e saj për t’u rikthyer tek marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi nuk kanë ndryshuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat