Ligjvënësit amerikanë kujtojnë iranianen Mahsa Amini një vit pas vdekjes

Amerika

Ligjvënësit amerikanë kujtojnë iranianen Mahsa Amini një vit pas vdekjes

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 14:59
Mahsa Amini

Ligjvënësit amerikanë këtë javë shënuan një vjetorin e vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini ndërsa mbahej në paraburgim nga policia iraniane, duke thënë se lëvizja e protestave, që u nxitën nga vdekja e saj, po vazhdon. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit amerikanë janë ende të ndarë rreth asaj se si ta mbajnë Iranin përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut, raporton VOA.

Mahsa Amini vdiq në paraburgim më 16 shtator të vitit të kaluar e arrestuar, sipas policisë të Iranit, për shkelje të kodit islamik të veshjes. Vdekja e saj ndezi protesta në mbarë Iranin, që u kujtuan një vit më vonë në Kongresin amerikan.

Protestat me gratë dhe vajzat si udhëheqëse, duke kërkuar dinjitet, respekt dhe ndryshim, u shtypën nga regjimi me ashpërsi, duke çuar në mbi 600 iranianë të vrarë dhe gati 22,000 arrestime. Shpërdorimi i pushtetit në këtë mënyrë është i paarsyeshëm”, thotë Dean Phillips, ligjvënës demokrat.

Shumë republikanë në Kongres janë të shqetësuar se Irani i vazhdon shkeljet e të drejtave të njeriut dhe po përfiton nga marrëveshja e administratës së Presidentit Biden për të zhbllokuar 6 miliardë dollarë nga fondet iraniane, në këmbim të lirimit të pesë pengjeve amerikane.

“Irani po mburret për marrjen e këtyre fondeve. Presidenti i Iranit thotë se do të bëjë çfarë të dojë me paratë, edhe pse ato do të duhej të përdoreshin për qëllime humanitare”, thotë Michael McCaul, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Analisti Behnam Ben Taleblu, i cili thotë se ka marrë kërcënime nga Republika Islamike, gjithashtu e kritikoi marrëveshjen.

“Pagesat e fundit mund të jenë duke i hapur rrugën asaj që po shfaqet me shpejtësi si anashkalim i Kongresit. Marrëveshja gjithashtu vetëm e bllokon programin bërthamor, por nuk do zvogëlojë aftësitë dhe infrastrukturën e paligjshme bërthamore të Iranit”, thotë analisti Behnam Ben Taleblu.

Shtëpia e Bardhë e mbrojti marrëveshjen të enjten, duke thënë se fondet do të jenë nën një vëzhgim më të rreptë, pas transferimit të tyre.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë Iranin, shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë veprimet e tyre destabilizuese jashtë vendit, mbështetjen e tij për terrorizmin”, thotë John Kirby, zëdhënës i Sigurisë Kombëtare.

Analistët u thanë ligjvënësve amerikanë këtë javë se vendimi i ish-presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, i vendosi Shtetet e Bashkuara në një pozitë të vështirë.

“Diplomacia, negociatat, zhbllokimi i fondeve – janë të vetmet masa që kanë funksionuar ndonjëherë”, thotë Barbara Slavin, nga organizata “The Stimson Center”.

Ndërkohë, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan këtë javë ligjin MAHSA, me përkrahje nga të dy partitë, duke kërkuar që presidenti Biden të vendosë sanksione ndaj udhëheqësve iranianë për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe përkrahjen për terrorizmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat