Rritet numri i emigrantëve që kërkojnë të futen në SHBA

Amerika

Rritet numri i emigrantëve që kërkojnë të futen në SHBA

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Irapuato, Meksikë - Ndërsa dëgjohej afrimi me shpejtësi i trenit, rreth 5,000 emigrantë kryesisht venezuelianë që shpresonin të arrinin në SHBA nisën të bëheshin gati.

Familje me fëmijë të vegjël që flinin sipër kutive të kartonit dhe të rinj e të reja të ngujuar në tenda nën një urë aty pranë, nxituan të paketonin gjërat e tyre. Pasi treni mbërriti në periferinë e qytetit meksikan Irapuato, disa hypën me lehtësi mbi vagonat e trenit, ndërsa të tjerë hodhën çantat. Disa në vogona i ndihmuan familjet me fëmijë të vegjël të mbështjellë me rroba dimërore.

“Ejani lart, ejani lart”, i thërrisnin emigrantët në majë të trenit atyre që ishin poshtë. Të tjerët bërtitën, "Zoti e bekoftë Meksikën!"

Pas tre ditësh pritjeje për trenin për të cilin disa ishin shqetësuar se nuk do të vinte më, ky ishte shansi i tyre për në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara.

Mijëra emigrantë të tjerë u bllokuan në pjesë të tjera të vendit javën e kaluar pasi hekurudha më e madhe e Meksikës tha se ndaloi 60 trena mallrash.

Kompania, Ferromex, tha se kaq shumë emigrantë po udhëtonin me trena, saqë lëvizja e trenave u bë e pasigurt. Kompania tha se kishte parë “me dhjetra raste ku personat ishin lënduar ose kishin humbur jetën" në një hark kohor prej vetëm disa ditësh.

Kur treni mbërriti të shtunën, policia lokale ishte vendosur rreth kampit të improvizuar ku emigrantët kishin pritur, megjithatë kur treni u ndal për rreth 30 minuta, nuk pati asnjë përpjekje të policisë për t’i ndaluar migrantët që të ngjiteshin në bord.

Pavarësisht dhunës nga kartelët e drogës dhe rreziqeve që vijnë nga përpjekjet për të hipur në trenat e mallrave, migrantët e kanë përdorur prej kohësh këtë lloj udhëtimi drejt kufirit verior.

Pezullimi i lëvizjes së trenave vë ne dukje numrin historik të njerëzve që shkojnë drejt kufirit verior në përpjekje për të arritur në Shtetet e Bashkuara për një jetë më të mirë.

Kur disa mijëra emigrantë kaluan në “Eagle Pass” të Teksasit në vetem disa ditë, qyteti kufitar shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Në gusht, roja kufitare amerikane kreu 181,509 arrestime në kufirin me Meksikën.

Shumica kalojnë përmes rajonit Darien (Darien Gap), ne një udhëtim njëditor mes kufirit Kolumbi-Panama. Kalimet përmes ketij rajoni janë rritur aq shumë sa mund të arrijnë në 500,000 njerëz vetëm këtë vit.

Kolumbia, e cila po përballet me pjesën më të madhe të eksodit nga Venezuela, ka kohë që i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë. Panamaja dhe Kosta Rika, ndërkohë, kanë forcuar kufizimet e migracionit dhe kanë kërkuar që të bëhet diçka për qindra mijëra njerëz që kalojnë nëpër rajonin Darien.

Ndërkohë, administrata e Presidentit Biden i ka kërkuar Meksikës dhe shteteve të Amerikës Qendrore që të kontrollojnë flukset migratore dhe tani u kërkon azilkërkuesve që të regjistrohen në internet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat