Përplasjet për buxhetin rrezikojnë mbylljen e pjesshme të qeverisë amerikane

Amerika

Përplasjet për buxhetin rrezikojnë mbylljen e pjesshme të qeverisë amerikane

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Qeveria amerikane është në prag të mbylljes së pjesshme nëse Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, nuk pajtohet për buxhetin federal për vitin e ri fiskal, që fillon më 1 tetor. Disa republikanë madje kanë kërcënuar me shkarkimin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Në më pak se një javë, qeveria amerikane rrezikon të mbyllet pjesërisht, nëse Kongresi nuk arrin një marrëveshje për shpenzimet federale, çka ka nxjerrë në pah krisjet brenda republikanëve.

Një grup konservatorësh të vijës së ashpër kanë kërcënuar me shkarkimin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, pas arritjes së një kompromisi për shpenzimet midis tij dhe Presidentit Joe Biden në fillim të këtij viti për të shmangur dështimin për të paguar borxhet qeveritare.

“Po ndodh për shkak se ligjvënësit republikanë nuk mund të bien dakord as mes tyre. Duhet të kujtojmë se zoti McCarthy dhe Presidenti Biden arritën një marrëveshje të vështirë për të gjitha palët. E tillë ishte për agjencinë tonë. Nënkupton shkurtimin e disa programeve që donim të realizonim, disa fonde do përdoreshin për përmirësimin e rrugëve, urave dhe aeroporteve. Por ne e pranuam marrëveshjen e bërë në fillim të vitit. Po kërkojmë që republikanët ta respektojnë këtë marrëveshje”, tha Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg.

I njëjti grup republikanësh dëshiron shkurtime të thella për shpenzimet e brendshme, si dhe për mbështetjen amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit të Rusisë.

Presidenti Biden priti javën e kaluar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë pas fjalimeve, që ata mbajtën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Presidenti Biden u zotua për vazhdimin e mbështetjes së palëkundur për Ukrainën.

“Populli i Ukrainës është i çelikosur për këtë betejë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me ju”.

Zoti McCarthy përfshiu 300 milionë dollarë fonde për Ukrainën në një projektligj për shpenzimet e mbrojtjes, që duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve. Por nuk ka gjasa që të marrë miratimin e republikanëve të vijës së ashpër.

“Do të jem me zotin McCarthy çdo ditë dhe sigurisht që kemi ende kohë, por ai është në një pozitë shumë të vështirë, sepse kundërshtarët vazhdojnë t'i thonë që të mos i paraqesë për votim projektligjet dypartiake, mos t’i përdorë votat e demokratëve për të shmangur mbylljen. Por ata po përdorin votat e demokratëve për të shkaktuar mbylljen. Ky grup republikanësh po voton me Nancy Pelosin kundër projektligjeve republikane që kanë dalë për votim”, tha ligjvënësi republikan Mike Turner.

Partia e zotit McCarthy ka një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve. Mjafton kundërshtimi nga pesë republikanë për të bllokuar çdo legjislacion që përpiqet të miratojë shumica.

Ligjvënësit do të përpiqen përsëri që të shmangin një mbyllje të pjesshme të qeverisë, e cila mund të ndodhë pas mesnatës së një tetorit nëse ligjvënësit dështojnë të pajtohen qoftë edhe për një financim afatshkurtër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat