Gjenerali Mark Milley mbyll detyrën, ia dorëzon komandën pasardhësit Charles Q. Brown

Amerika

Gjenerali Mark Milley mbyll detyrën, ia dorëzon komandën pasardhësit Charles Q. Brown

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 22:50
Gjenerali Mark Milley dhe Joe Biden

Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane mbylli detyrën të premten, pas një mandati 4-vjeçar dhe u vlerësua nga Presidenti Joe Biden si një luftëtar që shërbeu në zona lufte që nga Afganistani dhe Iraku, deri në Panama dhe Haiti.

Gjatë kohës që ai mbajti këtë detyrë, u vra kreu i organizatës Shtetit Isalmik, Abu Bakr al Baghdadi, në 2019, dhe u ofrua ndihma ushtarake për Ukrainën, për t’u mbrojtur përballë agresionit rus.

Por po ashtu, mandati i tij përfshiu edhe tërheqjen kaotike nga Afganistani dy vjet më parë dhe një marrëdhënie të vështirë me ish presidentin Donald Trump.

Duke e cilësuar zotin Milley si "të palëkundur përballë rrezikut", zoti Biden tha se në një rast ai "vrapoi nëpër një urë të bllokuar me mina për të ndalur dy tanke që evakuonin trupat e plagosur që të kalonin nëpër të".

"Mark, partneriteti juaj ka qenë i paçmuar për mua", tha Presidenti Biden.

Në një ceremoni të mbajtur në bazën Myer Henderson Hall pranë Uashingtonit, zoti Milley ia dorëzoi komandën komandantit të Forcave Ajrore, gjeneralit Charles Q. Brown.

Zoti Brown është oficeri i dytë afrikano-amerikan që bëhet Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, pas Colin Powell-it dy dekada më parë. Presidenti Biden tha se zoti Milley shërbeu në zonat e luftës dhe këtë mund ta dëshmonte me “kraharorin e mbushur plot me medalje”.

Në fjalët e tij, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin solli në vëmendje një moment gjatë luftës në Irak, kur ai dhe zoti Milley po shërbenin në Bagdad dhe automjeti i tyre u dëmtua kur u godit nga një mjet shpërthyes i improvizuar ndërsa po shkonin për në spital për të parë një ushtar të plagosur.

"A të ka ndodhur kjo më parë?", e kishte pyetur zoti Austin atë. "Dhe ai tha, oh po, më kanë hedhur në erë pesë herë tashmë".

Marrëdhënia e vështirë me zotin Trump

Zoti Milley e mori detyrën në 2019 pasi u emërua nga zoti Trump, por shpejt u përball me nevojën për të balancuar mbajtjen e marrëdhënies me të pa u shfaqur si politikisht i njëanshëm.

Në vitin 2020 ai kërkoi falje publikisht që iu bashkua zotit Trump ndërsa ai ecte nga Shtëpia e Bardhë drejt një kishe aty pranë, për të bërë një fotografi, pasi autoritetet kishin larguar protestuesit që gjendeshin në rrugë duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Zoti Milley tha të mërkurën se iu desh të merrte masa për të mbrojtur familjen e tij, pasi zoti Trump sugjeroi se ai kishte bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Kinën, një akt që ai tha se dikur do t’i kishte kushtuar jetën.

Zoti Brown u tha të pranishmëve se qëllimi i tij do të jetë të pengojë agresionin dhe “të luftojë kur e thërret detyra". Ai tha se ushtria amerikane "duhet të përqëndrohet tek modernizimi" me koncepte dhe qasje të reja.

Emërimi i zotit Brown, një ish-pilot luftarak me përvojë në rajonin e Paqësorit, nënkupton se afrikano-amerikanët do të mbajnë dy pozicionet më të rëndësishme në Pentagon për herë të parë - një moment historik i madh për një institucion që është i larmishëm në gradat e tij më të ulëta, por që në poste drejtuese ka kryesisht burra të bardhë.

Presidenti Biden emëroi zotin Austin si Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, i pari afro amerikan që mban këtë detyrë, që përfaqëson pozicionin më të lartë civil në Pentagon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat