Kanë mbetur më pak se 24 orë deri tek mbyllja e qeverisë amerikane

Amerika

Kanë mbetur më pak se 24 orë deri tek mbyllja e qeverisë amerikane

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Republikanët e linjës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së hodhën poshtë të premten një projekt-ligj të propozuar nga lideri i tyre, Kevin McCarthy për të financuar përkohësisht qeverinë, duke e bërë pothuajse të sigurt se zyrat qeveritare do të mbyllen pjesërisht duke filluar nga e diela.

Një masë për financimin e përkohshëm të qeverisë (prej 30 ditëve), ku ligjvënësit do të kenë më shumë kohë për të negociuar, është refuzuar nga dhoma e ulët e Kongresit amerikan me një votim prej 232 kundër dhe 198 pro.

Propozimi do të shkurtonte shpenzimet buxhetore dhe do të vendoste kufizime mbi emigracionin si dhe sigurinë kufitare, prioritete të republikanëve që kishin pak gjasa për t’u kaluar në Senatin me shumicë demokratike.

Në Amerikë, një projekt-ligj duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit përpara se të nënshkruhet nga presidenti amerikan.

Ndërkohë, Senati po debaton një masë të veçantë dypartiake për financimin e përkohshëm të qeverisë deri më 17 nëntor, raporton reuters.

“Dështimi është vetëm nëse heq dorë. Nuk ka mbaruar ende. Ne kemi ide të tjera”, u tha McCarthy gazetarëve, por nuk dha më shumë detaje për një zgjidhje të mundshme.

Nëse Kongresi nuk miraton një projekt-ligj për financimin e qeverisë, që nga mesnata e së dielës, qindra mijëra punonjës të qeverisë amerikane do të dërgohen në pushim.

Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim do të pezullojë shumicën e aktiviteteve rregullatore ndërsa do të mbyllet Shërbimi i Parkut Kombëtar të SHBA-së.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka paralajmëruar se mbyllja e qeverisë do të kërcënojë përparimin ekonomik duke ndalur programet kryesore për bizneset e vogla dhe mund të vonojë punën kyçe të infrastrukturës.

Një mbyllje e pjesshme e qeverisë më 1 tetor do të ishte e katërta në një dekadë dhe do të vinte vetëm katër muaj pasi qeveria federale amerikane ishte afër mospagimit të borxhit të saj prej 31 trilionë dollarësh (29.2 milionë euro) për shkak të një mosmarrëveshjeje në Kongres.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat