Analistët: Beteja për buxhetin në Kongres i krijon mundësi Pekinit për ndikim në Paqësor

Amerika

Analistët: Beteja për buxhetin në Kongres i krijon mundësi Pekinit për ndikim në Paqësor

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 21:57
Blinken

Kur Kongresi miratoi fondet e përkohshme për qeverinë amerikane në fund të shtatorit, aty nuk u përfshi edhe ndihma ekonomike për dy vende të vogla të Paqësorit, për të cilat zyrtarët e mbrojtjes amerikane thonë se kanë rëndësi kritike për strategjinë e Uashingtonit për Indo-Paqësorin dhe janë objektiva të fushatës agresive për ndikim nga Kina.

Palau, Mikronezia dhe Ishujt Marshall kontrollojnë një pjesë të madhe të Oqeanit Paqësor. Sipas një marrëveshjeje të veçantë të njohur si Marrëveshjet për Liri të Partneritetit, ose COFA, këto tre vende i japin Uashingtonit të drejtën që të refuzojë kërkesat e vendeve të tjera, duke përfshirë Kinën, për të kaluar në atë hapësirë të Oqeanit. Kjo e drejtë i është dhënë Uashingtonit në këmbim të ndihmës ekonomike amerikane.

Kur u miratuan fondet e përkohshme për qeverinë amerikane, Palau dhe Ishujt Marshall nuk morën asnjë ndihmë të re ekonomike.

Cleo Paskal, eksperte në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se “efektivisht, (rezoluta për vazhdimin e financimit të qeverisë amerikane) i lë Ishujt Marshall pa asgjë”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Zonja Paskal tha se mungesa e fondeve lë në një gjendje edhe më të keqe Palaun, i cili do të duhej të merrte 90 milionë dollarë nëse dhe kur Kongresi miraton një zgjatje të financimit të qeverisë amerikane për vitin 2024, siç tregojnë dokumentet zyrtare.

“Tani, për shkak se fondi [nuk avancon financimin e përkohshëm për Palau], Palau do të detyrohet të kërkojë më shumë borxhe”, tha zonja Paskal.

Mikronezia ndërkaq mori më shumë se 16 milionë dollarë pas miratimit të rezolutës që vazhdoi financimin e qeverisë amerikane, sipas një zyrtari amerikan që foli në kushte anonimiteti, sepse ai nuk ishte i autorizuar të fliste me gazetarët.


Cleo Paskal thotë se trajtimi i pabarabartë është një gabim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Sipas marrëveshjeve, administrata e Presidentit Biden ka propozuar shpenzimin e 7.1 miliardë dollarëve gjatë 20 viteve të ardhshme për të ofruar arsim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për mbrojtjen e mjedisit për këto kombe ishullore.

Por ndërsa negociatat me Mikronezinë dhe Palau-n kanë përfunduar, Ishujt Marshall janë ende në bisedime. Ligjvënësit presin të votojnë për financimin afatgjatë pasi të nënshkruhen të gjitha marrëveshjet.

“Për një investim relativisht të ulët, [kjo] mund të ketë ndikim të madh,” tha Jim Loi, shefi operativ në “Asia Group”.

“Kjo, sipas standardeve të buxhetit të qeverisë amerikane, nuk është asgjë”, tha gjatë një interviste Grant Newsham, ish-diplomat dhe oficer i inteligjencës detare të SHBA-së.

Zoti Newsham llogarit se Uashingtoni në të vërtetë po kursen para për një afat të gjatë duke nënshkruar marrëveshje me këto vende të Paqësorit.

Ai tha se SHBA-së do t'i kushtonte të paktën 100 miliardë dollarë për të blerë anijet, avionët, nëndetëset, raketat dhe dërgonte trupat e nevojshme për të siguruar 5.6 milionë kilometra katrorë të Oqeanit Paqësor të kontrolluar nga këto kombe të vogla ishullore.

Zoti Loi paralajmëroi se Pekini po kërkon në mënyrë aktive të shfrytëzojë çdo dyshim për angazhimin e SHBA-së në rajon. “Unë mendoj se ne do të duhet të parashikojmë që kinezët do të shfrytëzojnë rastin dhe kështu që tani nuk do të ishte koha që ne të mbyllim një sy”, tha ai.

Zoti Newsham është veçanërisht i shqetësuar për Palaun, i cili është jo vetëm në borxhe, por edhe nën presion të vazhdueshëm ekonomik nga Pekini, i cili ndaloi turistët kinez të shkojnë në Palau në shenjë hakmarrjeje për njohjen diplomatike të Tajvanit.

“Ata po llogarisin te Shtetet e Bashkuara. Ata duan të jenë një aleat i mirë, një mik i mirë”, tha ai, “dhe ne nuk po i ndihmojnë me atë që ata kanë nevojë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat