Mbështetje në rritje për zgjedhjen e Ligjvënësit Jordan si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Amerika

Mbështetje në rritje për zgjedhjen e Ligjvënësit Jordan si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 06:09
Ligjvënësi Jim Jordan në mjediset e Kongresit (16 tetor 2023)

Ndërsa një votim pritet të bëhet pasditen e së martës në Dhomën e Përfaqësuesve, kandidati më i fundit republikan për kryetar të kësaj legjislature, Jim Jordan, po arrin përparim në fitimin e mbështetjes së nevojshme nga radhët e ligjvënësve republikanë.

Zoti Jordan, një ligjvënës i krahut të djathtë nga shteti Ohajo, ka marrë mbështetjen e disa ligjvënësve të tjerë republikanë, por nuk është ende e qartë nëse do të jetë në gjendje të fitojë mjaftueshëm mbështetës për kandidaturën e tij.

“Ndjehem vërtet mirë për mënyrën se si po lëvizin gjërat”, u tha Ligjvënësi Jordan gazetarëve të mbledhur të hënën përpara zyrës së tij. “Nesër do të zgjedhim kryetarin”.

Zoti Jordan, i cili mbështetet nga ish-Presidenti Donald Trump, do të takohet me kolegët republikanë të martën në një tjetër takim me dyer të mbyllura, në përpjekje për ta bashkuar plotësisht partinë në mbështetje të kandidaturës së tij. Disa republikanë kanë shprehur shqetësimin se Ligjvënësi Jordan përfaqëson pikëpamje më të skajshme se ç’duhet për postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Republikanët përzgjodhën fillimisht Ligjvënësin Steve Scalise si kandidatin e tyre, megjithëse ai nuk arriti të sigurojë nga radhët e republikanëve vota të mjaftueshme për të krijuar shumicën dhe për të fituar kështu përballë demokratëve që dolën të bashkuar në mbështetje të kandidatit të tyre Hakeem Jeffries. Ligjvënësi Scalise u tërhoq në vazhdim nga kandidimi.

Ligjvënësi Jordan rrezikon të mos zgjidhet qoftë edhe nëse vetëm pesë ligjvënës republikanë nuk votojnë për të. Atij i nevojiten 217 vota, ose shumica në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë 221 me 212.

Ndërsa demokratët priten të dalin sërish të bashkuar në mbështetje të Ligjvënësit Jeffries, Ligjvënësi Jordan është zotuar të “bashkojë të gjithë republikanët”, në mënyrë që partia të përdorë shumicën e saj të ngushtë për të zgjedhur Kryetarin e Dhomës së Përfaqësueve.

Ligjvënësit republikanë që janë aleatë të ish-Presidentit Trump, si Ligjvënësi Matt Gaetz, si dhe ish-drejtuesi i emisionit në Fox News, Sean Hannity, kanë shtuar trysninë ndaj republikanëve që ta mbështesin Ligjvënësin Jordan.

Megjithëse mbështetja për Ligjvënësin Jordan është rritur, votimi mund të bëhet me disa raunde, pasi disa ligjvënës republikanë vazhdojnë të refuzojnë që ta mbështesin atë./VOA

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat