Guvernatorja e Meinit: 18 të vrarë nga sulmi masiv, i dyshuari në arrati

Amerika

Guvernatorja e Meinit: 18 të vrarë nga sulmi masiv, i dyshuari në arrati

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 17:19
Forca të sigurisë në Mein të Shteteve të Bashkuara.

Guvernatorja e Meinit në Shtetet e Bashkuara, Janet Mills, ka thënë se 18 persona janë vrarë dhe 13 janë plagosur, si pasojë e sulmeve me armë zjarri në mesnatën e së enjtes.

Një burrë ka shtënë me armë zjarri dhe i ka vrarë viktimat në një sallë të boullingut dhe në një restorant në Leviston, dhe më pas ka ikur.

Autoritetet kanë nisur kërkime masive për ta gjetur atë dhe u kanë kërkuar banorëve që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Mills ka thënë se i dyshuari është Robert Card, i cili konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm, andaj autoritetet kanë kërkuar që t’i qëndrojnë larg, nëse e shohin.

Policia e ka identifikuar Card si 40-vjeçar, person me interes për këtë sulm në Leviston.

Image
Robert Card.

Ai është thënë se ka qenë instruktor armësh në forcën rezervë të ushtrisë amerikane.

Sipas informacioneve të policisë, Card ka qenë i shtruar për trajtim për dy javë në një qendër të shëndetit mendor, pa dhënë hollësi për llojin e trajtimit që ka marrë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka biseduar gjatë ditës me guvernatoren Mills, si dhe me anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, duke iu ofruar atyre “mbështetje të plotë federale pas këtij sulmi të tmerrshëm”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Në Mein nuk kërkohet leje për armëmbajtje dhe ky shtet e ka një kulturë të moçme të armëmbajtjes që ndërlidhet me traditat e tij për gjueti dhe për qitje sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat