FBI: Sulmi i Hamasit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist që nga ISIS

Amerika

FBI: Sulmi i Hamasit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist që nga ISIS

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 06:12
Christopher Wray

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist kundër Shteteve të Bashkuara që nga formimi i Shtetit Islamik gati një dekadë më parë, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray, në një seancë dëgjimore në Kongres të martën.

Zoti Wray tha se që nga fillimi i konfliktit izraelito-palestinez në Gazë në fillim të tetorit, organizata të shumta të huaja terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit, duke rritur ndjeshëm kërcënimin nga ekstremistët e dhunshëm amerikanë.

“Veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si një frymëzim, të cilin ne nuk e kemi parë që kur ISIS nisi të ashtuquajturin kalifat disa vite më parë”, tha Drejtori i FBI-së, Wray.

Vërejtjet u bën gjatë një seance dëgjimore përpara Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare, që u mor kryesisht me kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara.

Qeveria amerikane ka parë një rritje të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve që nga shpërthimi i luftimeve në Gazë, kanë thënë zyrtarët.

Numri i sulmeve ndaj bazave ushtarake amerikane jashtë shtetit nga grupet e mbështetura nga Irani është rritur këtë muaj, tha zoti Wray. Sulmet kibernetike kundër SHBA-së nga Irani dhe aktorët joshtetërorë ka të ngjarë të përkeqësohen nëse konflikti zgjerohet, tha ai.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Gjatë seancës, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas tha se urrejtja ndaj studentëve hebrenj në SHBA, pas fillimit të konfliktit izraelito-palestinez në Gazë, ka rritur antisemitizmin.

Shtëpia e Bardhë u shpreh e alarmuar këtë javë lidhur me raportet për incidente anti-izraelite në universitetet amerikane, pasi tensionet kanë shtyrë zyrtarët e universiteteve të shtojnë masat e sigurisë.

Në një takim për sigurinë kibernetike të organizuar nga Shtëpia e Bardhë të martën, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland tha se ai kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë që të ndihmonte hetuesit izraelitë për rastet e financimeve për Hamasin, përfshirë edhe kriptovalutat./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat