Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thërrasin për dëgjesë djalin dhe vëllain e Presidentit Biden

Amerika

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thërrasin për dëgjesë djalin dhe vëllain e Presidentit Biden

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 06:18
Joe Biden

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve lëshuan të mërkurën fletëthirrje për familjarët e Presidentit Joe Biden, hapi i tyre më agresiv në procesin e mundshëm për hapjen e hetimeve për shkarkimin e presidentit. Procesi kundërshtohet ashpër nga demokratët ndërsa vihet në provë shtrirja e pushtetit mbikëqyrës të Kongresit.

Lëvizja e shumëpritur nga republikani James Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, për të thirrur Hunter Biden, djalin e presidentit dhe vëllain e tij, James, vjen ndërsa republikanët kërkojnë të fitojnë terren në hetimin e tyre gati njëvjeçar.

Deri më tani, ata nuk kanë arritur të zbulojnë prova që e lidhin presidentin drejtpërdrejt me ndonjë keqbërje.

Por republikanët thonë se, provat që ata kanë zbuluar nxjerrin në pah një pamje shqetësuese të përdorimit të emrit Biden nga familja e presidentit për të ndikuar në marrëdhëniet e tyre të biznesit, veçanërisht me klientët e huaj.

“Tani, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen do të sjellë anëtarë të familjes Biden dhe bashkëpunëtorët e tyre për t'i marrë në pyetje lidhur me provat”, deklaroi ligjvënësi James Comer.

Situata është jashtëzakonisht e tendosur, pasi hetimi mund të pasojë në ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Biden, dënimi më i rëndë që Kushtetuta amerikane e cilëson si “krim të lartë dhe shkelje”.

Në bazë të fletëthirrjeve, Hunter Biden, James Biden si dhe ish-bashkëpunëtori i biznesit Rob Walker duhet të paraqiten për të dëshmuar përpara Komisionit të Mbikëqyrjes.

Ligjvënësit gjithashtu kërkuan që gruaja e zotit James Biden, Sara Biden, dhe Hallie Biden, gruaja e djalit të ndjerë të presidentit, Beau, të paraqiteshin vullnetarisht për intervista të transkriptuara.

Hunter Biden, i cili jeton në Kaliforni dhe xhaxhai i tij, James Biden me banim në Merilend, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe avokatët personalë të familjes Biden e kanë hedhur poshtë hetimin si një manovër politike që synon ta dëmtojë presidentin demokrat.

Ata thonë se hetimi është përpjekje e hapur për të ndihmuar zotin Donald Trump, kandidati kryesor republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Abbe Lowell, avokat i zotit Hunter Biden, thotë se hetimi ka qenë i mbushur me “pretendime të konsumuara, të rreme, të pabaza ose të rrëzuara”.

Në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson të mërkurën në mëngjes, avokati Lowell i kërkoi kryetarit të ri që t’u vërë fre “lojërave politike partiake”.

Zoti Johnson e ka dhënë bekimin e tij për hetimin dhe ka lënë të kuptohet se së shpejti mund të merret një vendim lidhur me mundësinë e hapjes së procesit për shkarkimin e Presidentit Biden.

“Kemi përgjegjësi kushtetuese për të ndjekur këtë të vërtetë atje ku ajo na çon”, tha zoti Johnson ditë më parë gjatë një interviste për kanalin Fox News. Në një tjetër intervistë për të njëjtin kanal, zoti Johnson tha se e mbështeste vendimin e ligjvënësit Comer për të thirrur djalin e presidentit për të dëshmuar.

Republikanët kanë zhvilluar hetime për familjen Biden që nga janari, lidhur me atë që ata pretendojnë se është një model i “përdorimit të ndikimit” që shtrihet që nga koha kur zoti Biden shërbente në postin e zëvendëspresidentit.

Ligjvënësi Comer pretendon se komisioni kishte “zbuluar një mal me prova” për të cilat tha se do të tregonin sesi zoti Biden abuzoi me postin dhe gënjeu në mënyrë të përsëritur për ndarjen midis pushtetit të tij politik dhe marrëdhënieve private të biznesit të djalit të tij.

Ndërkohë që janë ngritur pikëpyetje rreth etikës së biznesit ndërkombëtar të familjes Biden, nuk ka dalë asnjë provë që vërteton se zoti Joe Biden, në postin aktual ose të mëparshëm, ka abuzuar me postin e tij ose ka pranuar ryshfete./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat