Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 06:19
Mike Johnson

Me 336 vota pro dhe 95 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të martën një plan për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë të shtunën, duke shtyrë debatin mbi çështjet e debatueshme buxhetore deri në fillim të vitit 2024.

Buxheti aktual për të gjitha agjencitë qeveritare skadon në mesnatën e së premtes, duke detyruar Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të arrijnë një marrëveshje për një buxhet afatshkurtër për të mbajtur qeverinë të hapur.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një propozim nga Kryetari i ri Mike Johnson, që zgjat shpenzimet në nivelin aktual për disa agjenci qeveritare deri në mes të janarit dhe për disa të tjera deri në fillim të shkurtit.

Për miratimin e planit të tij, zoti Johnson mori më shumë vota nga demokratët sesa nga republikanët. Plani i tij u mbështet nga 209 ligjvënës demokratë dhe 127 republikanë. Kundër tij ishin 93 republikanë dhe dy demokratë.

Senati pritet të miratojë gjithashtu buxhetin afatshkurtër dhe t'ia dërgojë Presidentit Joe Biden për nënshkrim.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson është kritikuar nga një fraksion i krahut të djathtë të kolegëve të tij republikanë, sepse plani i tij buxhetor nuk përfshinë shkurtimet e shpenzimeve ose ndryshimet e politikave që ata kërkojnë. Disa nga ligjvënësit konservatorët e bënë të qartë se do të votonin kundër planit të zotit Johnson, duke e detyruar atë të kërkonte votat e demokratëve të opozitës për të siguruar miratimin e tij.

Një skenar i ngjashëm në fund të shtatorit, i cili zemëroi krahun ekstrem të republikanëve, çoi në miratimin e një buxheti afatshkurtër nga republikanët me ndihmën e demokratëve. Miratimi i këtij buxheti afatshkurtër, që skadon të premten, nxiti tetë republikanë të krahut të djathtë të ndërmerrnin një iniciativë për shkarkimin e Kryetarit të Dhomës së Përfaësuesve Kevin McCarthy, e cila u mbështet njëzëri nga demokratët, duke e bërë zotin McCarthy Kryetarin e Parë të Dhomës së Përfaqësuesve, që shkarkohet nga ky post.

Nuk ka shenja se zoti Johnson do të përballet me një fat të ngjashëm, pasi ai vetë është një konservator i krahut ekstrem dhe kolegët e tij me pikëpamje të ngjashme duket se, për momentin, po i japin atij liri për të arritur një marrëveshje për të mbajtur qeverinë të hapur.

Kongresi pritet të shqyrtojë kërkesat e Presidentit Biden për më shumë fonde për Ukrainën dhe Izraelin në javët e ardhshme. Fondet për këto dy vende nuk u përfshinë në propozimin e zotit Johnson, të miratuar të martën nga Dhoma e Përfaqësuesve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat