SHBA, akuza ndaj ligjvënësit McCarthy për goditje me bërryl

Amerika

SHBA, akuza ndaj ligjvënësit McCarthy për goditje me bërryl

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 06:26
Ligjvënësi republikan Tim Burchett

Mosmarrëveshjet midis republikanëve në Kongres u rritën më tej të martën, me një ligjvënës që akuzoi ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve se e kishte goditur me bërryl në veshkë, ndërsa një senator republikan sfidoi një udhëheqës sindikatash për një dyluftim gjatë një seance dëgjimore.

Ligjvënësi republikan Tim Burchett akuzoi kolegun e tij republikan Kevin McCarthy, i cili u rrëzua nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të muajit të kaluar, se e goditi atë me bërryl në një incident në Kapitol, dëshmitar i të cilit ishte një gazetar i Radios Publike Kombëtare (NPR), i cili regjistroi shkëmbimin mes tyre.

"Pse më godite me bërryl në shpinë, Kevin?" tha ligjvënësi Burchett, sipas audios së publikuar nga NPR. "Çfarë lëvizjeje është kjo? Ti je kaq patetik."

McCarthy më vonë mohoi të kishte goditur ligjvënësin Burchett, një nga tetë republikanët që votuan për rrëzimin e tij nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesuve.

"Unë nuk e kam goditur askënd", u tha McCarthy gazetarëve.

“Më zuri në befasi. Ishte një goditje e pastër në veshka”, tha ligjvënësi Burchett më vonë për kanalin CNN. "Thjesht nuk e prisja, që një njeri, që në një kohë ishte i treti në radhë pas Presidentit, t'ju godasë me një grusht pinjoll në korridor."

Incidenit vjen në një kohë të përshkallëzimit të retorikës së dhunshme nga politikanët republikanë, duke përfshirë ish-Presidentin Donald Trump, i cili kryeson garën presidenciale të republikanëve.

Mosmarrëveshja McCarthy-Burchett ndodhi në të njëjtën ditë kur senatori amerikan Markwayne Mullin u ngrit nga ulësja dhe sfidoi presidentin e sindikatës “Teamsters”, Sean O'Brien për një dyluftim, përpara se kryetari i komisionit të ndërhynte për të ulur tensionet.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se shpresonte se pushimi i ardhshëm i Ditës së Falënderimeve do t'u jepte ligjvënësve një shans për t'u "ftohur" pas javëve rraskapitëse të përplasjeve mbi çështjet buxhetore dhe postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, pas rrëzimit të zotit McCarthy.

"Ky vend është një tenxhere me presion", tha zoti Johnson në një konferencë shtypi të martën. "Të gjithë mund të shkojnë në shtëpi dhe të kthehemi me energji të reja."/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat