Ekspertët, ekonomia do të jetë më e rëndësishme se aborti në zgjedhjet e vitit 2024

Amerika

Ekspertët, ekonomia do të jetë më e rëndësishme se aborti në zgjedhjet e vitit 2024

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Kandidatët e partisë demokrate, të cilët mbështesin të drejtat e abortit, së fundmi siguruan fitore të mëdha në disa shtete konservatore. Por, disa ekspertë thonë se ekonomia pritet të jetë një çështje më e rëndësishme për votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Mbështetësit dhe kundërshtarët e kufizimeve mbi abortin janë ende duke analizuar arsyet e fitoreve të kandidatëve demokratë në shtetet konservatore të Ohajos dhe Kentakit.

Guvernatori demokrat i Kentakit Andy Beshear fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e këtij muaji, ndaj rivalit republikan që mbështeste kufizimin e abortit dhe votuesit në Ohajo miratuan një propozim për mbrojtjen e të drejtës për abort.

“Amerikanët mbështesin të drejtën për abort dhe do të dalin në votime për ta mbrojtur këtë të drejtë”, thotë Veronica Ingham nga Orgainzata ‘Të Bashkuar për të Drejtat Riprodhuese’ në Ohajo.

“Ishte një betejë e vështirë për lëvizjen pro-jetës, sepse ajo u përball me dhjetëra miliona dollarë që erdhën nga burime jashtë shtetit të Ohajos”, thotë Kristan Hawkins nga organizata ‘Studentët për Jetën në Amerikë’.

Aborti është bërë një çështje e rëndësishme që nga vitit 2022 kur Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin ‘Roe kundër Wade’, që e kishte bërë të ligjshëm abortin në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa një numër shtetesh kanë vendosur kufizime për abortin, mbështetësit e të drejtës për abort thonë se kjo shkaktoi një reagim të votuesve.

“Ata janë rritur në një vend, ku gratë e kishin të garantuar me kushtetutë të drejtën për abort të paktën deri në tremujorin e tretë të shtatzënisë. Tani që kjo çështje është kthyer në duart e shteteve, mbështetësit e ndalimit të abortit po shikojnë se njerëzit nuk duan që qeveria të ndërhyjë në shëndetin e tyre riprodhues”, thotë Jeremy Mayer, profesor në Universitetin George Mason.

Çështja e abortit mund të ketë ndihmuar demokratët të fitonin shumicën në organin legjislativ të Virxhinias këtë muaj, por analistët paralajmërojnë se kjo çështje mund të ketë më pak ndikim në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, përfshirë ato presidenciale.

“Ekonomia gjithmonë është çështja më e rëndësishme. Ka edhe çështje të tjera, që mund të kenë ndikim tek njerëzit dhe mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve në disa shtete. Demokratët mendojnë se aborti është njëra prej çështjeve dytësore të rëndësishme në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, thotë Todd Belt, profesor në Universitetin George Washington.

Duke marrë parasysh humbjet e fundit, profesor Belt mendon se republikanët do t’i japin përparësi çështjeve të tjera në fushatën e zgjedhjeve të vitit tjetër.

“Ata ndoshta do të përqendrohen sërish në çështjen e kriminalitetit, imigracionit dhe jam i sigurt, që do të flasin shumë për inflacionin dhe çështjet ekonomike, që shqetësojnë amerikanët”, thotë profesor Belt.

Megjithatë, ekspertët thonë se çështja e abortit do të jetë e pranishme dhe mund të rrisë pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e vitit 2024, veçanërisht nëse në shtetet konservatore si Florida dhe Arizona do të përfshiheshin në referendume për ndryshime kushtetuese./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat