SHBA, policia dhe protestuesit përplasen para zyrave të Partisë Demokrate lidhur me luftën Israel-Hamas

Amerika

SHBA, policia dhe protestuesit përplasen para zyrave të Partisë Demokrate lidhur me luftën Israel-Hamas

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 18:16
Foto ilustrim

Policia dhe protestuesit u përplasën të mërkurën në mbrëmje para zyrave të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate amerikane, gjatë një demonstrate ku pjesëmarrësit kërkonin një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Një numër i madh ligjvënësish dhe kandidatësh demokratë, përfshirë udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ishin brenda ndërtesës për një aktivitet fushate që u ndërpre nga brohoritjet jashtë.

Protestuesit thanë se donin të bllokonin hyrjet dhe daljet që t'i detyronin politikanët të përballeshin me thirrjet e tyre për t'i dhënë fund luftimeve.

Megjithatë, situata u rëndua me shpejtësi. Policia e Kapitolit tha se rreth 150 persona po "protestonin në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme" pranë Kongresit në Uashington.

Por protestuesit fajësuan policinë për dhunën, duke thënë se oficerët i shtynë ata pa paralajmërim.

"Është e turpshme mënyra se si protestues jo të dhunshëm dhe anëtarë të komunitetit tonë u ndeshën me dhunë sonte," tha Dani Noble, i cili erdhi nga Filadelfia për demonstratën. "Është absolutisht e turpshme."

Brenda zyrave të Komitetit Kombëtar të Patisë Demokrate amerikane, policia hyri me shpejstësi në sallën ku po mbahej aktiviteti dhe i drejtoi ligjvënësit në katin përdhes, sipas disa pjesëmarrësve.

Disa persona u evakuuan më vonë me automjete policie. Policia e Kapitolit tha se gjashtë oficerë u trajtuan për lëndime të lehta dhe një protestues u arrestua për një sulm ndaj një oficeri. Videot e postuara në mediat sociale tregojnë shtytje dhe përleshje kur policia po hynte brenda.

Protesta u organizua nga një koalicion grupesh që ka organizuar edhe demonstrata të tjera për këtë qëllim në Uashington dhe qytete të tjera. Përplasjet e së mërkurës ishin shembulli i fundit i rritjes së tensioneve në Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën midis Izraelit dhe Hamasit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat