Çfarë ndodhi në Ditën e Falenderimeve

Amerika

Çfarë ndodhi në Ditën e Falenderimeve

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e Falenderimeve që festohet çdo vit, të enjten e katërt të nëntorit. Kjo bëhet në kujtim të festës së të korrave të vitit 1621, kur kolonët e ardhur nga Anglia, u ulën për të darkuar së bashku me indianët e Amerikës. Por sa prej rrëfimeve për Ditën e Falenderimeve janë të vërteta? Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, vizitoi qytetin Plymouth, në Masaçusets, ku u organizua për herë të parë Dita e Falenderimeve.

Në Plymouth, të Masaçusetsit, u mbajt për herë të parë Dita e Falenderimeve. Pak milje më larg është një muze historik, ku janë paraqitur me përmasa realiste për vizitorët mënyra e jetesës e pelegrinëve dhe traditat e Ditës së Falenderimeve.

Kam shumë gatim për të bërë, pasi burrat kanë sjellë gjela deti, pata dhe rosa”, reciton Malka Benjamin, e cila drejton rolet interpretuese në këtë muze.

Këtu përfaqësohen edhe Wampanoagët, popullsia indigjene që mori pjesë në darkën e parë të Falenderimeve me kolonët anglezë.

Malissa Costa, anëtare e fisit Wampanoag, mbikëqyr ekspozitën.

“Populli Wampanoag ndodhet ende këtu. Dua që ta mendojnë jo si një popull indigjen i të shkuarës, por i të tashmes, që ende i përcjell mësime publikut”, thotë zonja Costa.

Richard Pickering, historiani kryesor i muzeut, thotë se Dita e parë e Falenderimeve u karakterizua nga respekti i ndërsjelltë.

Ajo çfarë ndodhi në Plymouth në vjeshtën e vitit 1621 ishte diplomaci e nivelit më të lartë”, thotë ai.

Wampanoagët, që sot kanë një rezervat të vogël këtu pranë, bënë aleancë me pelegrinët. Ata madje i ndihmuan të sapoardhurit për t’i mbijetuar një dimri të ashpër, duke u mësuar se si të mbjellin dhe si ta fitojnë jetesën nga të korrat.

“Në këtë ngjarje nuk mund të ketë asnjë lloj mosbesimi apo armiqësie”, thotë zoti Pickering.

Nuk është e qartë se si dy palët arritën të ulen për të ndarë ushqimin së bashku. Paula Peters, anëtare e fisit Wampanoag, thotë se pelegrinët shtinë me armë dhe Wampanoagët erdhën për të parë se ç’po ndodhte.

“Në një moment vendosën, ‘Ky nuk është kërcënim. Ata thjesht po festojnë të korrat. Meqë jemi tani të gjithë këtu, le të hamë së bashku’,” thotë ajo.

Historianët dhe të tjerët hamendësojnë se çfarë ushqimesh u hëngrën gjatë festës që zgjati tre ditë.

“Wampanoagët sollën shpendë, që mund të ketë qenë gjela deti... boronica, pasi ishte fruti i stinës”, thotë zonja Peters.

“Pati krustace dhe peshq”, thotë zoti Pickering.

“Pati mish dreri”, shton zonja Peters.

Shkatërrimi që pësuan indigjenët ndodhi më vonë, me mbërritjen e më shumë kolonëve të bardhë.

“Duan t’u marrin tokën; duan t’i largojnë dhe shohim një ndryshim të përqasjes – nga admirimi, tek kategorizimi dhe tek përbuzja. Ky lloj të menduari u mundësoi që të dëshirojnë largimin e tyre nga kjo tokë, pa patur as ndonjë ndjesi faji”, thotë zoti Pickering.

Pelegrinët erdhën fillimisht në Amerikë në kërkim të lirisë fetare, por me sa duket jo për të gjithë, thotë zonja Peters.

“Sakrifikuan kaq shumë për lirinë fetare, por nuk ia ofruan të njëjtën mirësi popujve indigjenë që jetonin këtu përpara tyre”, thotë ajo.

Si shumë amerikanë, zonja Peters dhe zonja Costa do ta kalojnë Ditën e Falenderimeve me familjen e tyre. Por, ato do të mendojnë edhe për sakrificat e paraardhësve të tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat