Anketa: Gati gjysma e amerikanëve mendojnë se SHBA po shpenzon shumë për Ukrainën

Amerika

Anketa: Gati gjysma e amerikanëve mendojnë se SHBA po shpenzon shumë për Ukrainën

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Ndërsa ligjvënësit në Uashington po shqyrtojnë miratimin e një fondi tjetër miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër agresionit rus, afër gjysma e publikut në Shtetet e Bashkuara mendon se vendi po shpenzon shumë me ndihmat për Ukrainën, sipas një ankete të kryer nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC.

Këto ndjenja, të nxitura kryesisht nga republikanët, ndihmojnë për ta vënë në kontekst ashpërsimin e qëndrimit të ligjvënësve konservatorë në Uashington, të cilët po kundërshtojnë kërkesën e Presidentit Joe Biden për të miratuar një raund të ri ndihmash për Ukrainën, duke argumentuar se paratë do të shpenzoheshin më mirë për përparësitë e brendshme.

Megjithatë, kundërshtimi ndaj ndihmës ka rënë pak nga vendi ku ishte një muaj më parë në një tjetër sondazh të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, NORC. Tani, 45% thonë se qeveria amerikane po shpenzon shumë për ndihmën për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, krahasuar me 52% në tetor. Ky ndryshim duket se vjen kryesisht nga republikanët, 59% e të cilëve tani thonë se është shpenzuar shumë për ndihmën për Ukrainën, më pak se niveli 69% që ishte në tetor.

Megjithatë, kundërshtimi republikan ndaj vazhdimit të ndihmës për Ukrainën mbetet i fortë.

"Unë e kuptoj që qytetarët kanë nevojë për ndihmë, por mendoj se po shpenzojmë shumë para për Ukrainën në një kohë kur kemi probleme këtu në vendin tonë, me të cilat duhet të merremi", thotë 40 vjeçari nga Kolorado, Eric Mondello. Duke përmendur nevojat si kujdesi shëndetësor për veteranët e luftës dhe të pastrehët në komunitete, zoti Mondello shtoi: "Unë e kuptoj se Shtetet e Bashkuara janë aleate të vendeve të tjera, por mendoj se së pari duhet të kujdesemi për njerëzit tanë".

Më shumë se një e treta (38%) e amerikanëve thonë se shpenzimet aktuale janë "rreth shumës së duhur", një nivel pak më i lartë se në sondazhin e muajit të kaluar (31%). Në mesin e republikanëve, 29% thonë se shpenzimet aktuale janë pothuajse të duhura, nga 20%, që shprehën këtë mendim muajin e kaluar.

Paula Graves, 69 vjeç, është ndër ata që thotë se shpenzimet për Ukrainën janë në nivelin e duhur.

“Putini është i keq. Unë nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë dyshim në mendjen e askujt për këtë", tha zonja Graves, e cila jeton në Kaliforni. "Ai është një diktator. Ai është duke shkelur të drejtat e njeriut. Ai është një person shumë i frikshëm dhe nëse Ukraina bie në duart e tij, kush do ta ketë radhën? Cili është vendi i ardhshëm që do të jetë objektiv i tij?"

Shtëpia e Bardhë ka ushtruar vazhdimisht trysni mbi ligjvënësit për të miratuar një propozim të muajit tetor nga Presidenti Biden për ndihma urgjente prej gati 106 miliardë dollarësh, që përfshin më shumë se 61 miliardë dollarë për luftën në Ukrainë. Pjesa tjetër e kërkesës së Presidentit Biden ka të bëjë me ndihmën për Izraelin në luftën kundër Hamasit, fonde për përparësi të ndryshme në rajonin e Indo-Paqësorit dhe fonde shtesë për të ndihmuar në menaxhimin e valës së imigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Por Kongresi ka kundërshtuar përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të rritur ndihmën për Ukrainën të paktën dy herë në muajt e fundit. Së pari, ligjvënësit injoruan një kërkesë për rreth 40 miliardë dollarë përpara afatit për miratimin e buxhetit më 30 shtator. Më pas, javën e kaluar, Kongresi miratoi një buxhet të përkohshëm, që do të financojë qeverinë amerikane deri në fillim të vitit të ardhshëm, pa përfshirë brenda tij kërkesën për ndihma shtesë për Ukrainën.

Në Senat, një grup i vogël ligjvënësish nga të dyja partitë po punon në një projektligj, që do të kombinonte ndihmën e re për Ukrainën me masa më të rrepta kufitare për të trajtuar shqetësimet e republikanëve, të cilët thonë se Shtetet e Bashkuara po përqendrohen në nevojat jashtë vendit, duke injoruar problemet brenda vendit. Shumica e senatorëve mbështesin ndihmën për Ukrainën, përfshirë udhëheqësin e pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili është një nga mbështetësit më të fortë të ndihmës për Kievin, pavarësisht kundërshtimeve brenda partisë së tij.

Senatori i Dakotës së Jugut, John Thune, republikani numër 2 në Senat, ka thënë se ligjvënësit do të vazhdojnë të punojnë në projektligjin, që trajton edhe situatën në kufirin SHBA-Meksikë dhe ndihmën për Ukrainën, gjatë pushimit të Ditës së Falënderimeve dhe se për trajtimin e kësaj çështjeje ata nuk do të presin deri në mes të janarit, kur Kongresi përballet me një afat tjetër buxhetor.

Paqartësia më e madhe është në Dhomën e Përfaqësuesve, ku kryetari i saj i ri, Mike Johnson, i cili ka votuar kundër ndihmës për Ukrainën si konservator, ka folur gjerësisht për nevojën për t’iu kundërvënë agresionit rus, por përballet me ligjvënës të padisiplinuar republikanë që kanë shprehur kundërshtimin mbi vazhdimin e ndihmës për Kievin. Zoti Johnson, gjithashtu, po këmbëngul që ndihma shtesë për Ukrainën të shoqërohet me masa më të ashpra kufitare, megjithëse nuk është aspak e sigurt se një projektligj i tillë do të mbështetej në Senatin e kontrolluar nga demokratët edhe nëse do të mund të miratohej nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat