SHBA, gjykatësja hedh poshtë kërkesën e ish-presidentit Trump për të dhënat e Komisionit të 6 janarit

Amerika

SHBA, gjykatësja hedh poshtë kërkesën e ish-presidentit Trump për të dhënat e Komisionit të 6 janarit

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 06:25
Donald Trump

Një gjykatëse hodhi poshtë të hënën kërkesën e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të pasur qasje tek të dhënat e hetimit nga Kongresi për sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, për të cilat ish-presidenti tha se mund të jenë të rëndësishme për mbrojtjen e tij kundër akuzave për ndërhyrje në zgjedhje.

Gjykatësja Tanya Chutkan në qarkun e Uashingtonit arriti në përfundimin se zoti Trump "nuk i ka mbështetur mjaftueshëm me argumenta kërkesat e tij" për informacione lidhur me hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët, që përfundoi në vitin 2022.

Ish-presidenti Trump u përpoq që të siguronte materialet që avokatët e tij thanë se "mungonin" nga hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë transkriptet dhe regjistrimet video të intervistave me zyrtarë të rendit.

Gjykatësja arriti në përfundimin se prokurorët i kishin dhënë zotit Trump transkriptet e atyre intervistave dhe se avokatët e ish-presidentit Trump nuk kishin argumentuar se versioni video i atyre bisedave, mund të ishte i rëndësishëm për mbrojtjen e tij.

Zoti Trump ka thënë se është i pafajshëm ndaj akuzave se ai në mënyrë të paligjshme u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilar ai i humbi.

Aktpadia e ngritur nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, është një nga katër çështjet penale me të cilat përballet zoti Trump.

Pas një vendimi të veçantë gjykate, ekipi i prokurorit Smith publikoi të hënën informacione të reja në lidhje me një urdhër në janar për informacion lidhur me llogarinë e zotit Trump ndaj medias sociale Twitter, që njihet tani si X.

Llogaria e ish-presidentit Trump në Twitter u pezullua pas trazirave të vitit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e tij. Kjo masë u hoq në nëntor 2022 pasi Elon Musk mori drejtimin e platformës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat