Nikki Haley fiton mbështetjen e rrjetit të fuqishëm konservator, Koch

Amerika

Nikki Haley fiton mbështetjen e rrjetit të fuqishëm konservator, Koch

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 21:21
Zonja Haley gjatë një aktiviteti elektoral në Karolinën e Jugut (27 nëntor 2023)

“Amerikanët për Begatinë” (AFP Action), krahu politik i rrjetit të fuqishëm Koch, dha zyrtarisht të martën mbështetjen për fushatën elektorale për president të zonjës Nikki Haley, duke premtuar të angazhojë rrjetin e gjerë të aktivistëve në mbarë vendin, si dhe fonde pothuajse të pakufizuara, për ta ndihmuar zonjën Haley që të fitojë përballë ish-Presidentit Donald Trump në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane.

“AFP Action jep me krenari të gjithë mbështetjen për Nikki Haley-in, e cila i ofron Amerikës mundësinë për një kapitull të ri në epokën e tanishme politike, për të fituar zgjedhjet paraprake republikane dhe për ta mundur Joe Biden-in nëntorin e ardhshëm”, u shpreh në një njoftim Emily Seidel, presidentja dhe drejtorja ekzekutive e këtij rrjeti.

“Ajo ka çfarë duhet për të udhëhequr një axhendë politike për t’u përballur me sfidat më të mëdha të vendit tonë dhe për të ndihmuar që të sigurohemi se do të ketë një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Me futjen në këtë garë të kapaciteteve tona dhe të dhënave nga terreni, asnjë nga organizatat e tjera nuk është më e mirëpajisur për ta ndihmuar që ta realizojë këtë”.

Kjo mbështetje mund ta ndihmojë zonjën Haley që t’i japë zgjidhje një prej mangësive të saj më të mëdha nga pikëpamja strategjike.

Megjithë tendencën pozitive në anketimet e muajve të fundit, në veçanti në shtetet ku votimi do të ndodhë më herët, fushata elektorale e ish-ambasadores në OKB ka patur mungesa të theksuara në personelin në terren që nxit votuesit të marrin pjesë në zgjedhje. Por, tashmë ajo përfiton kontributin organizativ të një prej organizatave më të fuqishme konservatore në Shtetet e Bashkuara. Rrjeti Koch, më parë i njohur me emrin vëllezërit Koch, ka ngritur prej disa vitesh një rrjet aktivistësh konservatorë me pagesë në shtetet kryesore.

Vetëm gjatë kësaj vere dhe vjeshte, aktivistët e organizatës “Amerikanët për Begatinë” kanë komunikuar tashmë me gjashtë milionë votues për zgjedhjet paraprake, duke trokitur personalisht në dyert e shtëpive të tyre, ose nëpërmjet telefonit, tha zonja Seidel.

Ky zhvillim është një goditje e fortë ndaj Guvernatorit të Floridas, Ron DeSantis, i cili është bërë me sukses përfaqësuesi kryesor i kauzës konservatore në Florida, por që është vështirësuar të shfaqet si një alternativë e qartë ndaj ish-Presidentit Trump për garën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Nuk është e qartë sidoqoftë nëse kjo mbështetje e deklaruar për zonjën Haley do të dobësonte mbizotërimin e zotit Trump në procesin e marrjes së emërimit të Partisë Republikane për të kandiduar për president, për shkak të avantazhit të tij të qartë ndaj zotit DeSantis dhe zonjës Haley në pothuajse çdo anketim.

Në pranverë, rrjeti Koch filloi fushatën e reklamave në Ajova, Nju Hempshër dhe Karolinën e Jugut – tre shtetet e para në kalendarin e mbajtjes së zgjedhjeve paraprake në Partinë Republikane – duke u përqëndruar tek pikëpyetjet rreth përshtatshmërisë së zgjedhjes së ish-Presidentit Trump për të kandiduar përballë Presidentit Biden në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm. E megjithatë, ish-Presidenti Trump vazhdon të kryesojë me diferencë të madhe në garën brenda Partisë Republikane.

Zonja Seidel tha të martën se organizata “Amerikanët për Begatinë” do të fillojë menjëherë të ripërqendrojë përpjekjet e saj për të fuqizuar fushatën elektorale të zonjës Haley, me investime strategjike në marketing, me kontaktimin e votuesve nëpërmjet postës dhe mijëra aktivistëve konservatorë të këtij rrjeti, që gjatë muajve të fundit ka mbledhur informacion nga votuesit paraprakë republikanë për të përcaktuar argumentet më të efektshme kundër ish-Presidentit Trump.

Njëkohësisht, zonja Seidel tha se organizata e saj do të përqendrohet tek puna për të bindur votuesit që marrin pjesë vazhdimisht në zgjedhjet e përgjithshme, por të cilët nuk votojnë gjatë zgjedhjeve paraprake, që të marrin pjesë këtë radhë për të mbështetur kandidaturën e zonjës Haley.

Zëdhënësi i fushatës elektorale Trump, Steven Cheung e quajti organizatën “Amerikanët për Begatinë”, si “krahun politik të lëvizjes Kina-e para, Amerika-e fundit”.

“Çfarëdo lloj parash të errëta nga George Sorosi, nga lëvizja e demokratëve dhe republikanëve kundër Trumpit, në partneritet me personazhet e luftërave pa fund nga moçali i Uashingtonit”, tha zoti Chueng, nuk do ta ndalin ish-Presidentin Trump nga marrja e emërimit të Partisë Republikane dhe nga fitorja përballë Presidentit Joe Biden.

Edhe kampi elektoral i zotit DeSantis nuk shprehu kënaqësi.

Në një deklaratë, zëdhënësi Andrew Romeo e konsideroi njoftimin e rrjetit Koch si një kontribut për fushatën elektorale Trump.

“Urime Donald Trumpit që siguroi mbështetjen e rrjetit Koch”, shkruajti ai në Twitter. “Çdo dollar i shpenzuar për kandidaturën e Nikki Haley-it duhet të raportohet si një kontribut për fushatën Trump. Askush nuk ka historik më të fortë me fitore ndaj elitave se Ron DeSantis, dhe edhe këtë herë do të rezultojë po kështu”.

Sidoqoftë, rrjeti Koch ka krijuar bindjen se zonja Haley ka shanse më të mira për ta mundur ish-Presidentin Trump dhe Presidentin Biden.

Në një memorandum për anketimet, këshilltari i lartë Michael Palmer vë në dukje “ngjitjen e vazhdueshme gjatë muajve të fundit” të zonjës Haley, ndërsa vë në dukje se votuesit paraprakë në Ajova dhe Nju Hempshër sapo kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje garës elektorale.

“Guvernatori DeSantis ka qenë një udhëheqës i jashtëzakonshëm në shtetin e Floridas”, tha zonja Seidel gjatë një telefonate të martën. “Por të gjitha të dhënat që kemi tregojnë se Nikki Haley është kandidatja më e fortë në këtë garë dhe prandaj vendosëm ta mbështesim”.

Zonja Haley tha se ndjehet e nderuar që ka mbështetjen e “Amerikanëve për Begatinë”, me miliona anëtarë në mbarë vendin.

“Anëtarët e rrjetit AFP Action e dinë se nuk mund të qëndrohet duarlidhur në këto zgjedhje nga të cilat do të vendosen gjëra shumë të rëndësishme”, tha ajo në një deklaratë. “Kjo është një zgjidhje ndërmjet lirisë dhe socializmit, lirive individuale dhe qeverisjes së madhe, përgjegjshmërisë fiskale dhe borxhit me rritje të pandalur. Duhet ta shpëtojmë vendin dhe jam mirënjohëse të kem përkrah organizatën AFP Action”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat