SHBA, thirrje për miratim të ndihmave të reja për Ukraninën

Amerika

SHBA, thirrje për miratim të ndihmave të reja për Ukraninën

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 16:54

Administrata e Presidentit Biden i dërgoi sot një thirrje urgjente Kongresit për nevojën e miratimin të një propozimi për miliarda dollarë në ndihma ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Drejtorja e Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit, Shalanda Young tha se pa këtë ndihmë mund të ngecin përpjekjet e Kievit për t’u mbrojtur nga sulmet e Rusisë.

Ndihma amerikane, e miratuar më herët nga Kongresi, për Ukrainën mund të mbarojë së shpejti. Kongresi i ndarë deri më tani nuk ka miratuar një buxhet të rregullt për shpenzimet qeveritare, përfshirë propozimet mbi ndihmat për aleatët e përfshirë në konflikte jashtë vendit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se ky është një gabim.

Zyrtarët në Ukrainë njoftuan për një të vrarë dhe shtatë të plagosur nga bombardimet në Kherson gjatë fundjavës. Disa ditë më herët, të paktën dhjetë persona u plagosën dhe një u vra nga shpërthimi i një rakete ruse në rajonin e Donetskut. Ministri i brendshëm i Ukrainës tha se forcat ruse kanë sulmuar rajonin me raketa.

Sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës po shkon drejt vitit të tretë. Qeveria e Ukrainës po vazhdon trysninë mbi aleatët për mbështetje financiare dhe materiale, por në Shtetet e Bashkuara ndihmave, të miratuara më parë nga Kongresi, po u vjen fundi.

Kongresi ende nuk ka miratuar një buxhet afatgjatë për shpenzimet qeveritare. Ligjvënësit amerikanë miratuan një buxhet të përkohshëm, i cili financon qeverinë federale deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Udhëheqësit e ushtrisë amerikane thonë se kjo vë në rrezik sigurinë kombëtare. Ata i kanë bërë thirrje ligjvënësve që ta miratojnë një buxhet të rregullt një vjeçar.

“Miratimi i një buxheti të rregullt është gjëja më e mirë, që Kongresi mund të bëjë për mbrojtjen tonë kombëtare. Rivalët tanë nuk operojnë me buxhete të përkohshme sepse ato dëmtojnë sigurinë dhe aftësinë për të konkurruar. I bëj thirrje Kongresit që të miratojë kërkesat tona urgjente për nevojat tona të sigurisë kombëtare, mbështetjen për partnerët tanë në rrezik dhe investimet në industrinë tonë të mbrojtjes”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Mosmiratimi i një buxheti afatgjatë mund të ketë pasoja serioze për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën dhe Izraelin, një fakt që u përmend edhe nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.

Në një intervistë të fundit, zoti Zelenski tha se Ukraina nuk duhet të lejojë, që bota të harrojë se, ashtu si Izraeli, vendi i tij po lufton për mbijetesë.

Në Konferencën e OKB-së për Klimën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se mesazhi i qartë nga aleatët e NATO-s është se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë.

“Fitorja e Presidentit rus Vladimir Putin do të ishte një tragjedi për ukrainasit. Por, kjo do të ishte e rrezikshme edhe për ne, sepse mesazhi që ai dhe udhëheqës të tjerë autoritarë do të merrnin, është se ata mund të marrin atë që dëshirojnë, nëse pushtojnë një vend tjetër dhe shkelin ligjin ndërkombëtar”, tha ai.

Komentet e zotit Stoltenberg pasojnë vendimin për zgjatjen e masës së burgimit për gazetaren Alsu Kurmasheva, e cila punon për Radion Evropa e Lirë, që ashtu si Zëri i Amerikës, financohet nga Kongresi amerikan.

Rusia e ka akuzuar atë se nuk është regjistruar si “agjente e huaj”, në bazë të një ligji të epokës së Luftës së Ftohtë.

Zyrtarë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare informuan udhëheqësit e Kongresit javën e kaluar, ndërsa ligjvënësit po shqyrtojnë një propozim të Presidentit Biden prej 106 miliardë dollarësh, që përfshinë 61 miliardë dollarë në ndihma për Ukrainën. Por, debati është bllokuar nga ligjvënësit republikanë, të cilët po këmbëngulin për ndryshime në pjesën e projektligjit për sigurinë e kufirit SHBA-Meksikë.

“Ata ishin të qartë se Ukraina ka nevojë për një ndihmë të shpejtë. Edhe ushtria jonë ka nevojë për ndihmë të shpejtë”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat