Kash Patel: Nëse Trumpi fiton do të hakmerret kundër individëve në media dhe gjykata

Amerika

Kash Patel: Nëse Trumpi fiton do të hakmerret kundër individëve në media dhe gjykata

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 06:14
Kash Patel

Një aleat i ish Presidentit Donald Trump, i cili ka punuar në Departamentin e Drejtësisë gjatë mandatit të ish presidentit, tha të martën se nëse zoti Trump zgjidhet përsëri, administrata e tij do të hakmerret kundër individëve në media përmes padive kriminale ose civile.

Kash Patel, i cili ka shërbyer edhe si shef i stafit në Departamentin e Mbrojtjes dhe kishte një detyrë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, foli në podkastin e zotit Steve Bannon.

Duke folur lidhur me një fitore të mundshme nga zoti Trump ai u shpreh se, “Ne do t’i zbulojmë konspiratorët, jo vetëm në qeveri por edhe në media” lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, të cilat zoti Trump i humbi përballë demokratit Joe Biden.

Zoti Trump dhe aleatët e tij kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se zgjedhjet janë vjedhur, pavarësisht faktit se shumë zyrtarë federalë dhe lokalë, një listë e gjatë gjykatash, ish-punonjës të lartë të fushatës dhe madje edhe vetë prokurori i përgjithshëm gjatë mandatit të ish presidentit, kanë thënë se nuk ka prova lidhur me pretendimet për mashtrime.

Zoti Trump ka premtuar gjithashtu "hakmarrje" si një pjesë qendrore e mesazhit të fushatës, ndërsa kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Fushata e zotit Trump u distancua nga komentet e zotit Patel përmes një deklarate me tone të ashpra, duke thënë se deklarata të tilla nuk kanë lidhje me fushatën. Zyrtarë të fushatës nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse zoti Trump po i shqyrton planet e përshkruara nga zoti Patel.

Zoti Patel punon në Qendrën për Rinovimin e Amerikës, një institut konservator që është pjesë e një rrjeti grupesh konservatore që po përgatiten për një mandat të dytë të mundshëm të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë ose çdo konservatori që ndaj pikëpamjet e tyre.

Në intervistën për zotin Bannon, zoti Patel tha se: “Ne do t’u vihemi pas individëve në media që gënjyen për qytetarët amerikanë, që ndihmuan Joe Biden-in që të manipulonte zgjedhjet presidenciale. Do të vihemi pas jush përmes padive kriminale ose civile. Po ju vëmë në dijeni të gjithëve ”.

Zoti Trump prej kohësh ka vënë në shënjestër median, duke i etiketuar rrjetet mediatike si “Lajme të Rreme” dhe “Armiq të Popullit” një frazë që lidhet me diktatorin sovjetik Josef Stalin.

Përmes një shkrimi në shtator në rrjetin e tij “Truth Social”, zoti Trump u zotua që të hetojë kanalet televizive NBC dhe MSNBC për “tradhëti që kërcënon vendin” dhe se do të përpiqet t’u heqë licensat e transmetimit.

“E them që tani, hapur dhe me krenari, se kur të FITOJ Presidencën e Shteteve të Bashkuara, ata dhe të tjerët do të hetohen tërësisht për transmetime qëllimisht të pandershme dhe të korruptuara lidhur me individët dhe ngjarjet”, shkruhej në postimin e zotit Trump.

“Pse duhet që NBC, apo ndonjë kompani tjetër mediatike e korruptuar dhe e pandershme, të ketë të drejtë të përdorë FALAS valët ajrore të SHBA-së? Ato janë një kërcënim i vërtetë për Demokracinë dhe janë, në fakt, ARMIKU I POPULLIT! Mediat e lajmeve të rreme duhet të paguajnë një çmim të lartë për atë që i kanë bërë vendit tonë, dikur madhështor”, shkruante ai.

Në intervistë, zoti Bannon sugjeroi se zoti Patel mund të jenë një kandidat i mundshëm për të drejtuar CIA-n nëse zoti Trump fiton një mandat tjetër. Fushata e zotit Trump nuk iu përgjigj pyetjes nëse zoti Patel po konsiderohej si kandidat i mundshëm për postin e drejtorit të CIA-s.

Zoti Patel ishte i ftuar vitin e kaluar në ceremoninë e fillimit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vilën e tij në Florida. Në qershor, ai mori pjesë në fjalimin e zotit Trump në vendpushimin e tij në Bedminster pas daljes së ish-presidentit në gjykatë lidhur me akuzat federale për keqpërdorim të dokumenteve sekrete./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat