SHBA, ligjvënësit kritikojnë krerët e universiteteve elitë lidhur me anti-semitizmin

Amerika

SHBA, ligjvënësit kritikojnë krerët e universiteteve elitë lidhur me anti-semitizmin

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 18:45
Glenn Grothman

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve debatoi me tone të ashpra të martën mbi antisemitizmin në tre universitete elitë amerikane, Harvard, UPenn dhe MIT. Ligjvënësit republikanë akuzuan këto universitete se kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje për studentët hebrenj ndërsa presidentet e këtyre universiteteve refuzuan të thonë qartë nëse thirrjet e grupeve studentore pro-palestineze për kryerjen e gjenocidit ndaj hebrejve thyejnë kodin për bulizëm dhe ngacmim.

Një debat i ashpër i shoqëruar me tone të larta nga ligjvënësit përshkoi seancën e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Arsimin gjatë dëshmive të presidenteve të tre universiteteve elitare amerikane, MIT dhe Harvard nga shteti i Masaçusetsit dhe Upenn nga shteti i Pensilvanisë.

Ligjvënësit republikanë thanë se ftuan këto tre presidente pasi ankesat kryesore për rritjen e shprehjes së urrejtjes ndaj hebrenjve kanë lidhje me këto tre universitete.

“Unë kam një mike, djali i së cilës studion në Universitetin e Pensilvanisë. Ai tani ka frikë që fizikisht të shkojë në bibliotekë gjatë natës. A mund të na jepni arsyet tuaja se pse po ndodh kjo në Pensilvani, pse sot një student hebre ka frikë të shkojë në bibliotekë natën?” ishte pyetja e ligjvënësit republikan nga Uiskonsin, Glenn Grothman.

“Ligjvënës, më lejoni të them se jam e tmerruar kur e dëgjoj këtë. Unë do të doja të flisja me miken tuaj dhe studentin e Universitetit tonë. Jam shumë e shqetësuar nga ajo që po thoni pasi përparësia jonë kryesore është t'i mbajmë studentët tanë të sigurt”, tha Presidentja e Universitetit të Pensilvanisë, Liz Magill.

Retorika e debateve dhe protestave në universitetet amerikane është ashpërsuar deri në kërcënime e sulme ndaj studentëve hebrenj por dhe atyre myslimanë. Ligjvënësit konservatorë fajësojnë udhëheqjen e këtyre universiteteve për njëanshmëri.

Disa prej këtyre ligjvënësve janë të diplomuar të këtyre universiteteve dhe gjatë debatit thanë se dështimi i tyre bën që ata të ndjehen të turpëruar që kanë diploma nga këtu universitete.

“Nëse misioni juaj është arsimimi atëherë si ka mundësi që Universiteti i Pensilvanisë ka arritur në këtë gjendje kaq të rëndë sa më bën të ndjehem i turpëruar që jam diplomuar aty”, tha ligjvënësi republikan nga Nju Jorku, Brandon Williams.

“Më vjen shumë keq që e dëgjoj këtë”, ishte reagimi i Presidentes së Universitetit të Pensilvanisë, Liz Magill ndërsa ligjvënësi Williams me shpejtësi tha “nuk jam i vetmi”.

Pas sulmit të 7 tetorit, një koalicion i 34 grupeve studentore në Universitetin e Harvardit fajësoi vetë Izraelin për masakrat e Hamasit. Presidentja afrikano-amerikane e Harvardit, Claudine Gay ka qenë objekt i akuzave në rritje jo vetëm nga politikanët por edhe personaliteteve të tjera me bindje konservatore në SHBA pasi sipas tyre ajo ka refuzuar të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë bërë thirrje që nënkuptojnë përkrahje për shkatërrimin e Izraelit si shtet.

Ligjvënësja republikane nga Nju Jorku, Elise Stefanik e cila është e diplomuar e Universitetit të Harvardit ishte veçanërisht e ashpër me refuzimin e presidentes Claudine Gay t’i përgjigjej pyetjes: “Nëse thirrjet për gjenocid ndaj hebrejve thyejnë kodin e Harvardit për bulizëm dhe ngacmim”...

“Varet nga konteksti, nëse thirrjet vënë në shënjestër një individ”, 
ishte përgjigjia e zonjës Gay duke nxitur reagimin e ashpër të zonjës Stefanik.

“Thirrjet vënë në shënjestër studentët hebrenj. A e kuptoni se dëshmia juaj po iu mohon vlerat njerëzore atyre dhe ky mohim është pjesë e antisemitizmit? Unë do t'ju pyes edhe një herë. A shkel thirrja për gjenocidin e hebrenjve rregullat e Harvardit për bulizmin dhe ngacmimin? Po apo Jo?”

“Unë sërish ju them se varet nga konteksti”, tha sërish Presidentja e Univiersitetit të Harvardit, Claudine Gay.

“Jo nuk varet nga konteksti. Përgjigja duhet të jetë po dhe për këtë arsye ju duhet të jepni dorëheqjen. Të gjitha ju keni dhënë përgjigje që janë të papranueshme”, ishte reagimi me zë të lartë nga ligjvënësja Stefanik.

Universitetet amerikane janë përpjekur të rikthejnë ndjenjën e sigurisë për studentët hebrenj dhe arabë që kur ka filluar lufta në Lindjen e Mesme.

Por dallimi mes asaj që mbrohet si e drejat e shprehjes dhe asaj që e kalon këtë kufi duke u kthyer në gjuhë kërcënuese vlerësohet, si një proces i vështirë që jo gjithmonë është bërë në kohën e duhur. Për këtë arsye të tre presidentet e Universiteteve elitare amerikane kanë pranuar se reagimet e tyre, me raste, kanë qenë të vonuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat