Kërcënim në rritje ndaj grupeve fetare në SHBA në sezonin e festave të fundvitit

Amerika

Kërcënim në rritje ndaj grupeve fetare në SHBA në sezonin e festave të fundvitit

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Sinagogat, xhamitë dhe organizata të tjera fetare po marrin ndihmë nga qeveria amerikane ndërsa ato përballen me një rritje të krimeve të urrejtjes pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare lëshoi një njoftim të ri të mërkurën për të ndihmuar organizatat fetare të zbatojnë strategji me kosto të ulët për të përmirësuar sigurinë në ndërtesat e tyre dhe për anëtarët e tyre.

“Do të dëshiroja që ne të mblidheshim për festa të përbashkëta të grupeve fetare në një moment më të mirë, por kjo po ndodh në një kohë më të zymtë”, tha Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandor Mayorkas gjatë një takimi virtual me udhëheqës të organizatave dhe komuniteteve fetare.

“Kemi një mjedis me rrezikshmëri më të lartë në vendin tonë. Nuk ka vepra të vogla të urrejtjes”, shtoi ai.

Shqetësim për këtë situatë nuk ka shprehur vetëm Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Sipas të dhënave të FBI-së, krimet e urrejtjes kanë qenë në rritje prej kohësh, por drejtori i FBI-së tha para ligjvënësve të mërkurën se në Shtetet e Bashkuara numri i krimeve të urrejtjes është rritur me 60 për qind që nga muaji tetor, shumica e tyre ndaj komunitetit hebre.

Ka patur sulme të rënda edhe ndaj myslimanëve, arabëve dhe atyre me origjinë palestineze, përfshirë vrasjen me thikë të një 6 vjeçari palestinezo-amerikan në Çikago dhe plagosjen me armë të tre studentëve palestinezë në Burlington të Vermontit muajin e kaluar.

“Frika me të cilën po përballen shumë komunitete është e dukshme”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland në takimin virtual, të organizuar nga Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

“Komunitetet i kanë kthyer sytë nga ju për udhëzime dhe mbrojtje në këtë kohë të vështirë. Kjo nuk është një barrë e lehtë për ju”, tha ai. “Ne po punojmë çdo ditë për t’u siguruar që ju të mos keni nevojë ta mbani këtë barrë të vetëm”.

Udhëzimi i ri i Departamentit të Sigurisë Kombëtare synon të ndihmojë organizatat fetare të mendojnë rreth hapave që mund të marrin për eliminimin e praktikave që mund t’i vënë anëtarët e tyre në rrezik nga sulmet.

Udhëzimi, mes tjerash, rekomandon edhe krijimin e ekipeve të sigurisë për të vlerësuar rreziqet, përmirësimin e ndriçimit dhe instalimin e kamerave të sigurisë për të monitoruar ndërtesat në të cilat mblidhen grupet fetare.

Në udhëzim u bëhet thirrje organizatave fetare që të krijojnë plane në rast të një emergjence dhe të bëjnë prova sigurie në mënyrë që anëtarët e tyre të dinë se çfarë duhet bërë në rast të një sulmi.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare thonë se ata janë të përqëndruar në përpjekjet për t’u siguruar që organizatat fetare i kanë burimet e nevojshme për mbrojtjen e anëtarëve të tyre.

“Jemi duke punuar me komunitetet fetare në të gjithë vendin. Kemi rritur ritmin e ndarjes së informacioneve të zbulimit dhe analizave me partnerët tanë të sektorit privat dhe atij publik në të gjithë vendin”, tha zoti Mayorkas.

Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë dhe ata të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar se rreziku më i madh tani mbeten sulmet nga individë të vetëm ose grupe të vogla, të cilët janë të zemëruar nga zhvillimet e tanishme dhe që mund të frymëzohen nga një numër grupesh ekstremiste.

Ata gjithashtu paralajmëruan për një rritje të numrit të grupeve ekstremiste, që po bëjnë thirrje për sulme në Shtetet e Bashkuara pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael dhe janë të shqetësuar se një nga këto grupe mund të përpiqet të kryejë një sulm.

“Nuk kam parë asnjëherë, që të gjitha llojet e kërcënimeve të rriten njëkohësisht”, tha të martën drejtori i FBI-së Christopher Wray kur u pyet mbi nivelin e kërcënimeve në vend gjatë një seance të Komisionit Juridik të Senatit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat