Dhoma e Përfaqësuesve autorizon hapjen e hetimit për shkarkimin e Bidenit

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve autorizon hapjen e hetimit për shkarkimin e Bidenit

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 11:53
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka votuar për të autorizuar nisjen e një hetimi për gjykimin e presidentit Joe Biden, duke përshkallëzuar betejën e republikanëve me demokratët, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përmes një veprimi që vetë Biden e ka dënuar si manovër “të pabazë”.

Republikanët, duke shfrytëzuar akuzat ndaj të birit të Bidenit, Hunter, për marrëveshje kontroverse ndërkombëtare, nuk kanë paraqitur ende dëshmi për korrupsion nga presidenti, ndërsa Senati, i udhëhequr nga demokratët, nuk pritet të dënojë atë, edhe nëse hetimi çon drejt një gjykimi për shkarkimin e tij nga posti.

Megjithatë, procedura u garanton republikanëve një platformë të re dhe të lartë për ta sulmuar Bidenin, teksa ai po garon për rizgjedhje në post – dhe për ta larguar vëmendjen nga gjykimet për krime me të cilat po përballet sfiduesi i tij pothuajse i sigurt, Donald Trump, raporton AFP.

Votimi – me 221 vota për dhe 212 kundër – u zhvillua sipas linjave partiake, teksa secili republikan votoi për nisjen e hetimit, ndërsa çdo demokrat votoi kundër.

Konservatorët akuzojnë djalin e Bidenit, Hunter, për ushtrim ndikimi në këmbim të parave – duke shfrytëzuar emrin e familjes gjatë marrëveshjeve të tij biznesore në Ukrainë dhe në Kinë.

Akuzat ndaj Hunter Bidenit iu referohen incidenteve që kanë ndodhur para se babai i tij të bëhej president, dhe Shtëpia e Bardhë ngulmon se nuk ka pasur ndonjë veprim antiligjor.

Vetë Biden ka reaguar menjëherë pas votimit në Dhomë, duke akuzuar republikanët se po ngurrojnë në fronte kyçe – si financimi i qeverisë – përderisa po harxhojnë energji në sigurimin e pikëve politike para zgjedhjeve.

“Në vend se të bëjnë ndonjë gjë për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së amerikanëve, ata janë përqendruar te sulmet ndaj meje, me gënjeshtra”, ka thënë Biden nëpërmjet një komunikate.

“Në vend se të bëjnë punën e tyre për çështje urgjente që duhet të kryhen, ata kanë zgjedhur të humbin kohë në këtë manovër të pabazë politike, që edhe republikanët në Kongres e pranojnë se nuk është e mbështetur me fakte”, është shprehur presidenti amerikan.

Republikanët ngulmojnë se procesi është i arsyetuar.

“Populli amerikan meriton përgjigje”, kanë thënë udhëheqësi i Dhomës, Mike Johnson, dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes republikane.

“Ky hetim do të na ndihmojë t’i gjejmë ato”, kanë thënë ata, përmes një komunikate të përbashkët.

Hunter Biden, jeta kaotike personale dhe marrëveshjet biznesore të të cilit janë bërë magnet për teori konspirative të krahut të djathtë dhe për hulumtime të mediave, ka reaguar me zemërim në Uashington.

“Babai im nuk ka qenë i përfshirë financiarisht në bizneset e mia”, ka deklaruar ai.

Kushtetuta amerikane parasheh që Kongresi mund ta largojë një president nga posti për “tradhti, marrje të mitos apo krime të tjera të larta”.

Gjykimi i mundshëm nga Dhoma, që është ekuivalent politik i një akuze penale, do të nxiste një gjykim nga Senati, ndërsa presidenti do ta humbiste postin nëse do të shpallej fajtor – një skenar i pagjasë për Bidenin, duke marrë parasysh kontrollin e Senatit nga demokratët.

Ndonëse tre presidentë amerikanë janë gjykuar deri më tani – Andrew Johnson më 1868, Bill Clinton më 1998, dhe Trump më 2019 dhe 2021 – askush nuk është shkarkuar nga Senati./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat