Hunter Biden, paraqitje e papritur në seancën dëgjimore në Kongres

Amerika

Hunter Biden, paraqitje e papritur në seancën dëgjimore në Kongres

Më: 10 janar 2024 Në ora: 20:56
Hunter Biden

Hunter Biden u paraqit papritur të mërkurën në Kongresin amerikan, ndërsa republikanët po përgatiteshin për të rekomanduar masa ndëshkuese ndaj djalit të presidentit pasi ai nuk respektoi një thirrje për të dëshmuar me dyer të mbyllura në procesin që do të përcaktojë nëse ka baza për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Biden për përfshirje të mundshme në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij. Zoti Hunter shkoi në seancën dëgjimore i shoqëruar nga ekipi i tij ligjor, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Prania e tij shkaktoi reagimin e anëtarëve të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen të cilët debatuan me njeri- tjetrin dhe e qortuan atë për paraqitjen e papritur.

“Nuk ka rëndësi cili je, cili është babai apo mbiemri yt. Po flas me ju Hunter Biden. Ju nuk jeni mbi ligjin”, tha ligjvënësja republikane Nancy Mace. “Hunter Biden, ju keni shumë frikë të paraqiteni për të dëshmuar”.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve pretendojnë se presidenti dhe familja e tij përfituan në rrugë të padrejtë nga veprimet politike të zotit Biden kur ai ishte në postin e nënpresidentit gjatë periudhës 2009-2017. Shtëpia e Bardhë dhe Hunter Biden i kanë hedhur poshtë akuzat.

Hunter Biden përballet me probleme të tjera ligjore. Ai do të dalë para gjykatës në qytetin Los Anxhelos të enjten për t’u përballuar me akuza penale lidhur me mospagimin e 1.4 milionë dollarëve në taksa. Ndaj tij janë ngritur gjithashtu akuza në shtetin Dalaware se kishte gënjyer për përdorimin e drogës kur bleu një arme zjarri. Ai ka thënë se është i pafajshëm.

Ligjvënësi demokrat, Jared Moskowitz, shtroi pyetjen në seancë se përse komisioni nuk po e pranon dëshminë e 53-vjeçarit.

“Dëshmitari e pranoi ftesën e kryetarit. Dëshmitari është këtu”, tha Moskowitz. “Le ta hedhim në votë. Kush dëshiron të dëgjojë sot nga zoti Hunter?”

Hunter Biden u largua nga seanca menjëherë. Më pas, avokati i tij Abbe Lowell bëri një deklaratë të shkurtër për gazetarët.

“Ne kemi ofruar të punojmë me komisionin për të parë se çfarë informacioni përkatës dhe si mund të sigurohet për çdo hetim legjitim”, tha avokati Lowell. “Pesë ofertat tona të para nuk u morën parasysh. Në nëntor ata lëshuan një fletëthirrje për një seancë me dyer të mbyllura, një taktikë që republikanët e kanë keqpërdorur vazhdimisht në kryqëzatën e tyre politike për të rrjedhur të dhëna sipas interesit”.

Republikanët lëshuan një fletëthirrje për zotin Hunter Biden më 13 dhjetor për një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura, si pjesë e procesit hetimor.

Hunter Biden tha se ishte i gatshëm të dëshmonte publikisht, por kërkesa nuk u pranua nga ligjvënësit, të cilët thanë se ai duhej t’i nënshtrohej një seance me dyer të mbyllura përveç çdo dëshmie publike.

Në ditën që ai duhej të paraqitej për të dëshmuar, Hunter Biden u shfaq në ambientet e jashtme të Kongresit dhe mbajti një deklaratë për shtypin, por nuk u paraqit në seancën dëgjimore me dyer të mbyllura.

Nëse komisionet miratojnë rezolutat për mosrespektim, siç edhe pritet, çështja do të shtrohet për shqyrtim para Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse dhoma e plotë miraton rezolutën kundër zotit Hunter Biden, Departamenti i Drejtësisë do të duhet të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale ndaj tij.

Sipas të dhënave të Kongresit amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve ka rekomanduar ngritjen e akuzave penale për 10 individë që nga viti 2008. Megjithatë Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza vetëm kundër dy individëve, Steve Bannon dhe Peter Navarro, këshilltarë gjatë kohës kur Presidenti Trump shërbente në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Bannon u dënua me katër muaj burg dhe ka apeluar vendimin. Zoti Navarro u shpall fajtor në shtator të vitit 2023 dhe do të dënohet në janar.

Nëse Departamenti i Drejtësisë nuk ngre akuza, kjo do të shkaktonte kritika të tjera nga konservatorët, se drejtësia amerikane është e politizuar, kryesisht duke patur parasysh se dy ish-këshilltarët e ish Presidentit Trump u ndoqën penalisht nga administrata e Presidentit Biden pasi nuk respektuan thirrjet e Kongresit për të dëshmuar. Por ndjekja e rasteve të tilla mund të jetë e vështirë.

Sipas raporteve të Kongresit, që përfshijnë të dhëna që nga viti 1980 për mosrespektim të fletëthirrjeve për të dëshmuar, nuk ka asnjë të dhënë që të jetë kërkuar ndonjëherë ngritja e akuzave penale për ndonjë anëtar të familjes së presidentit në detyrë.

Mosrespektimi i thirrjes së Kongresit për të dëshmuar dënohet me deri 100 mijë dollarë gjobë dhe burgim nga një në deri 12 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat