Zgjedhjet partiake në Ajova: Si funksionojnë dhe pse janë të rëndësishme

Amerika

Zgjedhjet partiake në Ajova: Si funksionojnë dhe pse janë të rëndësishme

Më: 11 janar 2024 Në ora: 07:24
Një person duke hyrë në një qendër votimi për zgjedhjet presidenciale amerikane. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Republikanët në Ajova do të jenë të parët që do të votojnë në mbështetjen e një kandidati për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, kur ata të marrin pjesë në takime publike të hënën, më 15 janar, në zgjedhjet brendapartiake.

Ish-presidenti Donald Trump konsiderohet favorit për të fituar garën brendapartiake, por në të kaluarën ka pasur befasi të minutës së fundit.

Në këtë tekst shpjegohet procesi dhe çfarë pritet nga ai.

Çfarë është votimi për zgjedhjet brendapartiake në Ajova dhe kur mbahet?

Në këtë proces votuesit në shtetet amerikane që gjenden në veri - Illinojs, Indiana, Ajova, Kansas, Miçigan, Minesota, Misuri, Nebraska, Dakota e Veriut, Ohajo, Dakota e Jugut dhe Uiskonsin – zgjedhin të nominuarin e partisë së tyre për president.

Megjithatë, procesi brendapartiak është ndryshe nga votimet paraprake sepse këto të fundit mbikëqyren nga partia në nivel kombëtar, e jo nga qeveria e një shteti. Votimi për procesin brendapartiak nuk kërkon që të bëhet në qendra të votimit.

Partia Republikane do të mbajë këtë proces të hënën. Demokratët në Ajova, ndaras, në këtë cikël zgjedhor do të zgjedhin kandidatin e tyre për president duke votuar krejtësisht përmes postës. Rezultatet do të publikohen më 5 mars, gjatë Super të Martës.

Si funksionon votimi brendapartiak në Ajova?

Në orën 7 të mbrëmjes – sipas kohës lokale – të hënën republikanët do të mblidhen në grupe të vogla në lokacione nëpër lagje – sikurse shkollat, kishat dhe ndërtesat komunale – ku përfaqësuesit do të mbajnë fjalime në emër të kandidatëve të tyre të preferuar. Në mbarë shtetin ka rreth 1.700 lokacione të tilla.

Votimi është i fshehtë dhe përmes tyre zgjidhen delegatët e konventës. Rezultatet dërgohen tek autoritetet shtetërore dhe më pas ato numërohen dhe shpallen rezultatet brenda pak orësh.

Në këto votime nuk lejohet pjesëmarrja nga distanca. Procesi është kritikuar për përjashtimin e votuesve që duhet të punojnë apo kanë aftësi të kufizuara, gjë që ua bën të vështirë pjesëmarrjen në votim. Rreth 30 për qind e republikanëve të regjistruar në vitin 2016 në këtë shtet, kishin marrë pjesë në garën brendapartiake.

Të 40 delegatët e Ajovës në Konventën Kombëtare të Republikanëve do t’iu shpërndahen kandidatëve në mënyrë proporcionale bazuar në votat mbarëkombëtare. Për shembull, më 2016 senatori amerikan Ted Cruz mori numrin më të madh të votave, përkatësisht 27.6 për qind, dhe ai mori tetë delegatë. Ndërkaq, Trump, që doli i dyti, fitoi shtatë delegatë. Në vendin e tretë doli senatori Marco Rubio i cili po ashtu pranoi shtatë delegatë.

Kush mund të votojë?

Banorët e Ajovës që janë mbi 18 vjeç dhe që janë të regjistruar si republikanë mund të marrin pjesë në votimet brendapartiake.

Pse Ajova voton e para?

Tradicionalisht, Ajova ka mbajtur këtë proces e para për shkak të një ngjarjeje në të shkuarën. Pasi Partia Demokratike liberalizoi procedurat e saj për zgjedhjen e kandidatëve pas zgjedhjeve të vitit 1968, Ajova ishte shteti i parë që caktoi garën e saj për të përcaktuar se kush do të fitonte nominimin e partisë. Pasi kandidatët dhe mediat vërshuan Ajovën, shteti u sigurua që të ishte i pari për të organizuar këtë ngjarje.

Demokratët tentuan ta ndryshonin radhën e garave të tyre, duke përzgjedhur Karolinën e Jugut, e cila për dallim nga Ajova ka një popullsi të madhe të njerëzve me ngjyrë, si shtetin e parë në kalendarin e tyre për vitin 2024, ku do të mbahet gara për zgjedhjet paraprake më 3 shkurt.

Por, demokratët në Nju Hamshajër sfiduan nivelin qendror partiak dhe luftuan që të jenë të parët që të mbajnë garën zgjedhore, duke detyruar fushatën e presidentit Joe Biden, të njoftojë se emri i tij nuk do të jetë në fletëvotimin për garën e këtij shteti për nominimin e kandidatit për president që do të mbahet më 23 janar.

Republikanët zgjodhën që gara e tyre brendapartiake të nisë në Ajova, ku pothuajse 90 për qind e popullsisë është e bardhë.

Pse janë të rëndësishme votimet në Ajova?

Votimet në garën brendapartiake shihen si treguesi i parë i mbështetjes së votuesve për kandidatë presidencialë. Zakonisht, ata kandidatë për muaj të tërë bëjnë fushatë në mbarë shtetin, duke testuar mesazhet dhe planprogramet e tyre. Ata që nuk performojnë mirë, heqin dorë nga pjesëmarrja në garën brendapartiake.

Në rastin e republikanëve, megjithatë, shteti nuk ka qenë një barometër i besueshëm për mbështetjen kombëtare. Asnjë fitues i tre votimeve të fundit në Ajova – më 2016, 2012 dhe 2008 – nuk e vazhdoi suksesin që të merrte nominimin e partisë për president. Kjo kryesisht për faktin se Ajova ka një komunitet të madh të të krishterëve evangjelistë, që luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces dhe mbështet kandidatin më konservator që garon.

Për më tepër, duke pasur parasysh popullsinë e saj relativisht të vogël, Ajova dërgon shumë më pak delegatë në Konventën Kombëtare sesa shtetet sikurse Florida apo Teksasi, që nënkupton se luan një rol shumë joproporcional në procesin e nominimit të kandidatit partiak për garën presidenciale./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat