Si funksionon sistemi i zgjedhjeve fillestare në SHBA?

Amerika

Si funksionon sistemi i zgjedhjeve fillestare në SHBA?

Më: 17 janar 2024 Në ora: 11:42
Qendër votimi në Nevada të Shteteve të Bashkuara.

Janari shënon nisjen e garave në rajonet brenda Shteteve të Bashkuara, të cilat përcaktojnë kandidatët për president.

Procesi i votimit, i cili përfshin edhe zgjedhjet brendapartiake, zgjat gati gjashtë muaj dhe përcillet me konventat republikane dhe demokratike, në korrik dhe gusht, në të cilat secila parti e zgjedh kandidatin për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Çfarë e përbën fazën fillestare?

Zgjedhjet fillestare nënkuptojnë një proces të gjerë votimi, në të cilin votuesit e përzgjedhin kandidatin partiak, që më vonë garon në zgjedhjet e përgjithshme.

Rregullat për këtë fazë, përfshirë atë se kush mund të votojë, përcaktohen nga shtetet dhe partitë. Për dallim prej zgjedhjeve brendapartiake, votuesit në zgjedhjet fillestare bëjnë votim të fshehur për kandidatët e tyre dhe mund të votojnë në çfarëdo orari në Ditën e Zgjedhjeve.

Çfarë janë zgjedhjet brendapartiake?

Zgjedhjet brenda partisë, janë një mënyrë që partia të zgjedhë të nominuarit e saj për zgjedhjet e përgjithshme. Për dallim prej zgjedhjeve fillestare, zgjedhjet brenda partisë përbëjnë një sistem të grumbullimeve lokale, të cilat zakonisht organizohen në një kohë të caktuar dhe zgjasin disa orë.

Në to, pjesëmarrësve u mundësohet që të diskutojnë publikisht për kandidatët që garojnë dhe votimi, në disa raste, bëhet me ngritje dore. Këto zgjedhje kanë qenë dikur mënyra më e shpeshtë e zgjedhjeve të të nominuarve për president, ndonëse tani shumë pak shtete varen prej kësaj metode.

Si ndikojnë këto dy procese te kandidatët?

Në të dyja proceset, votuesit amerikanë nuk i përzgjedhin drejtpërdrejt kandidatët e tyre në rrugën për zgjedhjet e përgjithshme.

Ata vetëm i përzgjedhin delegatët, të cilët më pas vendosin për të nominuarit në konventat kombëtare të partive.

Të nominuarit, më pas, do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Sa më i populluar që është një shtet, aq më shumë delegatë dërgon në konventat kombëtare.

Çfarë strategjie kanë kandidatët?

Natyra e shkallëzuar e kalendarit zgjedhor u mundëson kandidatëve që t’i fokusojnë burimet e tyre në disa grupe zgjedhjesh në kohë të ndryshme. Zakonisht, kandidatët fokusohen që t’i fitojnë disa apo të gjitha shtetet në fazat fillestare, për të fituar momentumin, duke rritur numrin e delegatëve. Numrin më të madh të delegatëve e kanë Kalifornia, Teksasi dhe Florida.

Cilat shtete votojnë të parat?

Tradicionalisht, Ajova i mban zgjedhjet e para brendapartiake dhe Nju Hempshajër të ashtuquajturat zgjedhje fillestare.

Teksa Partia Republikane do të vazhdojë nisjen e garave të nominimeve në këto shtete, Partia Demokratike synon nisjen e garave në Karolinën e Jugut, me arsyetimin se ky shtet përfaqëson më së miri demografinë e partisë.

Si rezultat, Komiteti Kombëtar Demokratik e ka pezulluar procesin e zgjedhjeve brenda partisë në Ajova – aty do t’i mbajë zgjedhjet fillestare në mars – dhe u ka bërë thirrje kandidatëve që të mos i vendosin emrat e tyre në zgjedhjet në Nju Hempshajër.

Çfarë është Super e Marta?

Shumica e shteteve amerikane dhe territoreve i mbajnë zgjedhjet fillestare të martën. Super e Marta është dita kur numri më i madh i juridiksioneve i mbajnë garat nominuese. Këtë vit është caktuar e marta e 5 marsit, kur 15 shtete do t’i zgjedhin kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme.

Si shpërndahen delegatët?

Mënyra se si shpërndahen delegatët varet prej rregullave të secilit shtet.

Në disa shtete, shembull në Kaliforni, të gjithë delegatët mblidhen rreth kandidatit më së shumti vota, ndërsa në vendet sikurse Nju Hempshajër, përdoret një metodë proporcionale dhe delegatët ndahen varësisht se sa vota kanë kandidatët.

Cili është dallimi në mes të delegatëve të “zotuar” dhe të “pazotuar”?

Delegatët që zgjidhen në dy proceset fillestare njihen si të “zotuar” pasi prej tyre pritet që të përkrahin kandidatin që e kanë zgjedhur votuesit. Mirëpo, të dyja partitë, Republikane dhe Demokrate, kanë delegatë në konventat e tyre që nuk janë zgjedhur prej votuesve.

Në konventat republikane përfshihen delegatët e “pazotuar’, të cilët quhen edhe si të “palidhur”.

Ata janë tre zyrtarët kryesorë të partisë prej secilit shtet dhe territor.

Demokratët e kanë një sistem të më shumë delegatëve të pazotuar, të quajtur “superdelegatët”, që përbëjnë qindra liderë partiakë dhe zyrtarë të zgjedhur.

Si republikanët e pazotuar, ashtu edhe superdelegatët demokratë, janë të lirë për të mbështetur secilin kandidat.

Çfarë janë zgjedhjet e hapura dhe të mbyllura?

Në shtetet me zgjedhje të hapura, të gjithë votuesit e regjistruar mund të votojnë për ndonjë kandidat, pavarësisht qëndrimeve partiake.

Shembull, një demokrat mund të votojë në zgjedhjet fillestare republikane dhe një republikan mund të votojë në zgjedhjet fillestare demokratike.

Megjithatë, një votues nuk mund të votojë në dy proceset.

Në anën tjetër, në shtetet me zgjedhje të mbyllura, një votues mund të votojë vetëm kandidatin e partisë që i përket. Shembull, një demokrat i regjistruar mund të votojë në zgjedhjet fillestare demokratike, por jo edhe në garën republikane.

Çfarë thotë Kushtetuta amerikane për zgjedhjet fillestare?

Kushtetuta amerikane nuk parasheh asnjë dispozitë për partitë politike, të cilat teknikisht janë organizata të pavarura, që mund t’i zgjedhin të nominuarit si të duan – brenda kufizimeve ligjore.

Për më shumë, sistemi federal u mundëson shteteve individuale liri më të mëdha lidhur me atë se kur dhe si mbahen zgjedhjet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat