Aborti është një çështje me peshë në zgjedhjet e 2024

Amerika

Aborti është një çështje me peshë në zgjedhjet e 2024

Më: 23 janar 2024 Në ora: 16:21
Aktivistët kundër abortit në tubimin e përvitshëm "pro jetës", 19 janar, 2024, Uashington.

Shtëpia e Bardhë thotë se aborti është një çështje kyçe në zgjedhjet e nëntorit ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris ka ndërmarrë një turne takimesh në mbarë vendin në kuadër të fushatës së Presidentit Biden mbi mbrojtjen e të drejtës për riprodhim. Ndërkohë, kandidatët republikanë po flasin për ndalim të mundshëm të procedurave të abortit në nivel federal. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, këto qëndrime, ua lënë votuesve amerikanë zgjedhjen përfundimtare mbi këtë çështje të ndjeshme.

Ndërsa gara presidenciale amerikane sa vjen e bëhet më e fortë, kandidatët po ushtrojnë trysni mbi votuesit, se aborti është një çështje kryesore.

Të hënën, kur u mbushën 51 vjet nga vendimin historik i njohur si “Roe kundër Wade” që përcaktoi se aborti ishte një e drejtë kushtetuese, Nënpresidentja Kamala Harris vizitoi shtetin Viskonsin për të theksuar mbështetjen e administratës Biden për qasje të plotë ndaj kujdesit riprodhues, duke përfshirë abortin.

“Në Amerikë, liria nuk jepet. Nuk dhurohet. Liria është një e drejtë që na takon. Këtu përfshihet edhe e drejta për të vendosur vetë për trupin . Nuk mund të përcaktojë qeveria se çfarë do të bëni ju me trupin tuaj”, tha Nënpresidentja Kamala Harris.

Presidenti Joe Biden, një katolik i devotshëm, në nivel personal ka shprehur rezerva mbi abortin. Megjithatë, të hënën, ai e cilësoi si të padrejtë vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 2022 që rrëzoi ligjin Roe kundër Wade, dhe ua la shteteve në dorë të vendosin mbi të drejtën për abort. Që kurse Gjykata e Lartë mori një vendim të tillë, vuri në dukje Presidenti, votuesit në shtete të ndryshme kanë votuar në mënyrë të vazhdueshme për të mbështetur mundësinë për abort.

“Votuesit kanë votuar për të mbrojtur të drejtën për riprodhim. Ne kemi nevojë që kjo e drejtë të mbrohet në çdo shtet, sepse që familja juaj të ketë qasje në kujdesin shëndetësor nuk duhet të varet nga shteti ku jeton”, tha Presidenti Biden.

Mbështetësit e kandidatit kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump, thonë se ai e kundërshton abortin, por qëndrimi i tij ka ndryshuar dhe është i paqartë. Në faqen e internetit të fushatës së tij presidenciale nuk përmendet kjo çështje. Ndërkohë, kërkesa e Zërit të Amerikës për koment nuk mori përgjigje të menjëhershme.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve e mbështeti kundërshtinë e tij ndaj abortit duke treguar historinë e tij personale.

Ndërsa foli në një tubim kundër abortit në Uashington, ai tha se kishte ardhur në jetë nga një shtatzëni e padëshiruar, kur e ëma ishte adoleshtente.

"Po marshojmë sot sepse duhen shumë përpjekje për t’i bindur njerëzit se çdo qenie njerëzore, çdo embrion, ka vlerë shumë të thellë dhe të çmuar. Ne kemi çdo arsye për të qenë shpresëplotë, se ne mund ta ndryshojmë opinionin publik”, tha Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Aktivistët kundër abortit thonë se janë të kënaqur që Gjykata e Lartë e ktheu vendimin për abortin në duart e shteteve. Por tani, ata duhet të vendosin se cili president do ta çojë çështjen përpara.

Aktivisti Eric Scheidler, i cili iu bashkua marshimit në Uashington, tha se Presidenti Biden është "shumë ekstrem" në mbështetjen e tij për qasjen tek aborti, por thotë se asnjë nga republikanët nuk i përshtatet botëkuptimit të tij.

“Nuk e di nëse i besoj Donald Trumpit. Dua të them, ai emëroi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që rrëzuan vendimin Roe kundër Wade. Që nga rrëzimi i këtij ligji, ai ka shprehur kritika për lëvizjen pro-jetës dhe ka kritikuar politikën e guvernatorit të Floridës Ron DeSantis. Nuk e di se ku qëndron Trumpi, sepse ai duket se po mban qëndrime të dyanshme për këtë çështje. Pra, kursehem të gjykoj si zonjën Haley ashtu edhe zotin Trump, sepse kam pikëpyetje mbi qëndrimin e tyre të vërtetë,” th ai.

E drejta për abort është mbëshetur nga votuesit në disa shtete, nga Kalifornia liberale deri te Kansasi konservator. Votuesit në shtetin e Ohajos, në fund të vitit të kaluar, i dhanë një mbështetje në nivel prej 57 për qind një amendamenti kushtetues që garanton qasjen ndaj abortit.

Votuesit amerikanë do e thonë fjalën e tyre, në zgjedhjet e nëntorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat