​Studimi: Ndryshimet klimatike janë shkaku kryesor i thatësirës rekord në Amazonë

Amerika

​Studimi: Ndryshimet klimatike janë shkaku kryesor i thatësirës rekord në Amazonë

Më: 24 janar 2024 Në ora: 20:51
Amazonë

Ndryshimi i klimës është shkaku kryesor i thatësirës rekord në pyllin tropikal të Amazonës, i cili ka tharë lumenjtë, ka vrarë delfinët e rrezikuar dhe ka ndryshuar në mënyrë drastike jetën e miliona njerëzve në rajon, sipas një studimi të publikuar sot.

Ngrohja globale e ka bërë thatësirën 30 herë më të mundshme, ka çuar në temperatura jashtëzakonisht të larta dhe ka kontribuar në uljen e reshjeve, sipas një analize nga grupi ndërkombëtar i shkencëtarëve World Weather Attribution. Hulumtimi u fokusua në periudhën midis qershorit dhe nëntorit të vitit të kaluar.

Thatësira, e cila ka goditur të nëntë vendet e pyjeve tropikale të Amazonës, duke përfshirë Brazilin, Kolumbinë, Venezuelën dhe Perunë, pritet të përkeqësohet në vitin 2024 pasi sezoni i shirave të fillojë të zvogëlohet në maj, thanë shkencëtarët vitin e kaluar.

Mbrojtja e Amazonës, pyllit më të madh të shiut në botë, konsiderohet vendimtare në luftën kundër ndryshimeve klimatike për shkak të sasisë së madhe të gazeve serrë që thithin pemët. Thatësira ka ulur nivelet e lumenjve në disa pjesë të rajonit në nivele të ulëta rekord.

“Ne duhet të shqetësohemi vërtet për shëndetin e pyjeve tropikale të Amazonës”, tha Regina Rodrigues, bashkautore e studimit dhe studiuese pranë Universitetit “Santa Catarina” në Brazil.

Shkencëtarët thanë se thatësira mund të përkeqësojë zjarret, të cilat, së bashku me ndryshimet klimatike dhe shpyllëzimin, mund ta shtyjnë më shpejt Amazonën në një pikë pa kthim ku biomi (njësi biogjeografike e përbërë nga një bashkësi biologjike, e formuar në përgjigje të mjedisit fizik dhe klimë së përbashkët rajonale) do të thahej dhe do të pushonte së qeni një pyll i harlisur tropikal. Megjithëse rajoni është përballur me të paktën tri thatësira intensive në 20 vjetët e fundit, shkalla e kësaj është e pashembullt, tha Rodrigues.

"Rrugët ujore u thanë brenda disa muajsh. Njerëzit duhej të bënin udhëtime të gjata, duke transportuar varka nëpër pjesë të thara të lumit për të marrë ushqim, ilaçe ose furnizime të tjera," tha Simphiwe Stewart, gjithashtu një bashkautore e studimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat