SHBA godet platformat kibernetike të Shtetit Islamik

Amerika

SHBA godet platformat kibernetike të Shtetit Islamik

Më: 31 janar 2024 Në ora: 06:36
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ndërprerë përpjekjet e grupit terrorist Shteti Islamik për të zgjeruar kalifatin e tyre virtual, të vetëshpallur.

Uashingtoni njoftoi të martën sanksione kundër dy shtetasve egjiptianë, të cilët akuzohen se kanë ofruar trajnime për udhëheqësit e Shtetit Islamik mbi sigurinë kibernetike, në mënyrë që ata të mund të lëviznin fondet përmes kriptomonedhave dhe të zgjeronin përpjekjet e rekrutimit.

Al-Mawji Mahmud Salim dhe partnerja e tij e biznesit, Sarah Jamal Muhammad Al-Sayyid, akuzohen për krijimin e një platforme në internet të lidhur me Shtetin e Islamik, të quajtur “Electronic Horizons Foundation” (EHF).

Përmes një deklarate, Departamenti i Thesarit tha se Al-Mawji "ka ofruar mbështetje teknike në aplikacionet kompjuterike" për udhëheqësit e Shtetit Islamik, ndërsa përdorte gjithashtu platformën për të ndihmuar mbështetësit e grupit terrorist të shmangnin kontrollet e forcave të zbatimit të ligjit dhe të mbledhin para.

Në deklaratë, Jamal akuzohet se i ndihmonte partnerët e saj duke rekrutuar anëtarë të Shtetit Islamik për t'u bashkuar me platformën “EHF” dhe duke blerë pajisje të nevojshme për ta mbajtur platformën në internet.

“Veprimet e sotme shkatërrojnë aftësinë e ISIS-it për të transferuar fonde, duke përfshirë përdorimin e kriptomonedhave, dhe për të shfrytëzuar praninë e tij në internet për të rekrutuar dhe përhapur ideologjinë e tij terroriste”, tha nënsekretari i Departamentit të Thesarit, Brian Nelson, duke përdorur një akronim tjetër për grupin terrorist.

Departamenti i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione kundër Faruk Guzel-it, një lehtësues financiar me bazë në Turqi, i cili ndihmoi në transferimin e parave për operativët e Shtetit Islamik në Siri.

Në një deklaratë tjetër, të lëshuar po të martën, Departamenti i Shtetit tha se përcaktimet e reja dhe sanksionet ndaj këtyre individëve përforcojnë angazhimin e Uashingtonit për të punuar me më shumë se 80 vende që janë pjesë e Grupit Financiar kundër Shtetit Islamik, i cili synon të shkatërrojë rrjetet globale financiare të kësaj organizate terroriste.

Në fillim të këtij muaji, Shteti Islamik nisi një fushatë të re dhune të quajtur "Vritini kudo që t'i gjeni", e cila përkoi me një sulm të dyfishtë vetëvrasës, që shkaktoi vrasjen e gati 90 njerëzve pranë varrit të një komandanti të vrarë të Gardës Revolucionare Islamike në Kerman të Iranit.

Sipas vlerësimieve më të fundit të agjencive amerikane të zbulimit, udhëheqja e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri ka qasje në rreth 25 milionë dollarë, nga rreth 300 milionë dollarë që kishte pas rënies së kalifatit territorial në 2019.

Një raport i veçantë nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit nëntorin e kaluar tha se udhëheqja e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri "nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e tij financiare, veçanërisht pagesat për anëtarët e familjeve të personelit të vdekur dhe të burgosur të ISIS-it".

“ISIS paguante gjithashtu udhëheqësit e tij në mënyrë sporadike, ndoshta disa qindra dollarë në muaj, ndërkohë që nuk shpërndante pagesat për luftëtarët, me gjasë për të kursyer fondet e kufizuara”, thuhet në raport./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat