Kolumbia dhe një fraksion i FARC-ut me bisedime të reja të paqes

Amerika

Kolumbia dhe një fraksion i FARC-ut me bisedime të reja të paqes

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 15:37
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro. Fotografi nga arkivi.

Qeveria kolumbiane do të zhvillojë bisedime të reja të paqes me një nga grupet kryesore të guerilëve disidentë të FARC-ut, që ende është aktiv në shtet.

Kështu u tha në një dokument të publikuar të premten, më 9 shkurt.

Grupi është nën kontrollin e ish-komandantit të lartë të Forcave të Armatosurave Revolucionare të Kolumbisë (FARC), Ivan Marquez, i cili ka ndihmuar në negocimin e një marrëveshjeje paqeje më 2016, para se grupi të armatosej sërish më 2019.

Në dokumentin prej 11 pikash, që është nënshkruar nga Qeveria dhe grupi Morkuetalia e Dytë – një prej fraksione më të mëdha të FARC-ut – njoftuan për nisjen “e dialogut që do të çojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes”.

Palët po ashtu njoftuan se janë pajtuar për “hartimin e menjëhershëm të marrëveshjeve paraprake për të shtensionuar konfliktin”.

Presidenti i parë i majtë i Kolumbisë, Gustavo Petro, - i cili më herët ka qenë pjesë e një lëvizjeje guerile - po synon që t’i japë fund konfliktit gjashtëdekadësh në mes të forcave të sigurisë së shtetit, guerilëve, paramilitarëve të krahut të djathtë dhe bandave të drogës.

Që kur ka marrë detyrën më 2022, Petro ka nisur bisedimet e paqes me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN) dhe me grupin disident më të fuqishëm të FARC-ut, Shtabi i Përgjithshëm Qendror (EMC).

Kur Marquez njoftoi se do të armatosej sërish, ky njoftim i dha një goditje procesit kombëtar të paqes që nisi më 2016 dhe mundësoi që 7.000 luftëtarë nga grupi më i frikshëm gueril në Amerikën Latine t’i ktheheshin jetës civile.

Morkuetalia e Dytë ka afër 1.600 luftëtarë, sipas inteligjencës ushtarake./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat