Seancë dëgjimore nëse prokurores Fani Willis duhet t‘i hiqet çështja hetimore ndaj ish-Presidentit Trump

Amerika

Seancë dëgjimore nëse prokurores Fani Willis duhet t‘i hiqet çështja hetimore ndaj ish-Presidentit Trump

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 19:46
Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis

Prokurorja e shtetit të Xhorxhias që heton çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje kundër ish- Presidentit Donald Trump nuk do të dëshmojë në seancën dëgjimore, që ka qëllim të shqyrtojë nëse marrëdhënia e saj romantike me një prokuror tjetër përbën një konflikt interesi, tha zyra e saj.

Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, pritej të dëshmonte për të dytën ditë, pasi kritikoi me forcë avokatët mbrojtës të enjten se kishin ndërhyrë në jetën e saj personale në atë që ajo e quajti një përpjekje për të prishur hetimet.

Këtë të premte, në Gjykatën e Fultonit, për të dytën ditë po dëgjohen dëshmi nëse prokurores Fani Willis, e cila ka ngritur akuzat ndaj ish presidentit Donald Trump, për përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias, duhet t’i hiqet çështja hetimore në ngarkim të tij.

Kërkesa për largimin e saj nga çështja pason akuzat se zonja Willis ka patur një marrëdhënie intime me prokurorin e posaçëm që ajo ngarkoi për hetimet ndaj ish presidentit Donald Trump.

Ish Presidenti Trump dhe disa të pandehur të tjerë në këtë çështje pretendojnë se prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis është në konflikt interesi dhe për këtë shkak asaj duhet t’i hiqet çështja dhe akuzat që ajo ka ngritur ndaj tyre duhet të pushohen.

Si zonja Willis edhe prokurori i posaçëm Nathan Wade kanë pranuar se janë në një lidhje romantike, por kanë thënë se çështjet personale, nuk kanë ndikim mbi çështjen hetimore.

Seanca e parë dëgjimore në Gjykatën e qarkut Fulton në kuadër të përpjekjeve për t’ia hequr zonjës Willin çështjen u zhvillua dje, ku dëshmoi vetë prokurorja. Ajo u shfaq e zemëruar dhe kritikoi ashpër avokatët e palës mbrojtëse se kishin ndëhyrë në jetën e saj private në përpjekje për të prishur hetimet.

Sipas avokatëve të të pandehurve zyra e zonjës Willis i ka bërë pagesa të mëdha prokurorit Nathan Wade dhe se më pas, edhe ajo ka përfituar në mënyrë të papërshtatme, kur prokurori pagoi që ata të shkonin bashkë me pushime.

"Unë nuk kam nevojë për askënd për të paguar faturat e mia," tha dje në dëshminë e saj zonja Willis.

Zyra e saj njoftoi se prokurorja nuk do të dëshmojë në seancën e sotme.

Nëse gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, që po shqyrton këtë çështje, vendos t’ia heqë hetimin e zotit Trump prokurores Willis, atëherë, çështja do duhej t’i kalojë një prokurori tjetër dhe një gjë e tillë do të shkaktonte vonesa.

Prokurorja Willis, ka përfshirë në akt-padinë e saj ndaj ish-presidentit Donald Trump, 13 akuza për vepra penale, përfshirë ato për shantazh dhe trysni ndaj zyrtarëve të shtetit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në favor të tij.

Ish presidenti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm për këto akuza dhe se ngritja e tyre është bërë në kuadër të përpjekjeve për të dëmtuar fushatën e tij presidenciale. Deri më tani ai udhëheq garën për të fituar emërimin e republikanëve për të qenë kandidat për president.

Çështja në ngarkim të zotit Trump në shtetin e Xhorxhias, është një nga 4 paditë penale me të cilat përballet ish-Presidenti.

Në 25 mars zotit Trump pritet të përballet me gjyqin e parë penal, në shtetin e Nju Jorkut, lidhur me akuzat se ka paguar për të siguruar heshtjen e dy grave.

Kjo është hera e parë në histori që një President do të gjykohet penalisht.

Zoti Trump kishte kërkuar shtyrje të gjyqit, por vendimi i gjykatës të Nju Jorkut nënkupton nisjen e gjykimit mbi akuzat shumëvjeçare se zoti Trump ka provuar të fshehë marrëdhëniet jashtëmartesore që dolën në pah gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat