Rëndësia e zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut për kandidatët republikanë Trump dhe Haley

Amerika

Rëndësia e zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut për kandidatët republikanë Trump dhe Haley

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 21:14
Ish Presidenti amerikan Donald Trump dhe ish ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley

Ish Presidenti Donald Trump po bën përpjekje që përmes zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut të nxjerrë nga gara zgjedhore kandidaten tjetër republikane Nikki Haley.

Zonja Haley është konkurrenca e vetme e zotit Trump në garë për t’u emëruar kandidat presidencial nga radhët e republikanëve. Ish ambasadorja amerikane në OKB, Haley synon të mbijetojë deri në zgjedhjet e 5 Marsit, e ashtuquajtura “Super Tuesday”, ditës kur mbahen zgjedhjet paraprake në shumicën e shteteve amerikane.

Sipas anketimeve, ish Presidenti amerikan ka një avantazh të qartë në Karolinën e Jugut, ku zgjedhjet paraprake mbahen të shtunën, përkundër faktit se zonja Haley ka qeverisur si guvernatore e këtij shteti për gjashtë vite.

Ndonëse shanset e zonjës Haley për të përparuar në garën presidenciale duken gjithnjë e më të zbehta, drejtuesit e fushatës së saj këmbëngulin se do të vazhdojnë fushatën pavarësisht nga rezultati.

Më poshtë mund të lexoni një analizë mbi shanset e dy kandidatëve në garën për të sfiduar Presidentin Joe Biden, kandidatin demokrat, në zgjedhjet e nëntorit.

DONALD TRUMP

Zoti Trump dëshiron t’i japë fund garës në radhët e republikanëve në mënyrë që të përqëndrohet plotësisht në garën kundër Presidentit Biden.

Tashmë fushata e zotit Trump ka dhënë shenja se po kthen vëmendjen tek zgjedhjet e përgjithshme përmes sulmeve të shtuara ndaj presidentit dhe përmes përpjekjeve për të marrë nën kontroll Komitetin Kombëtar Republikan.

Zotin Trump e presin disa çështje me peshë edhe brenda partisë së tij. Kandidatura e zonjës Haley ka vënë në pah një përçarje të thellë mes republikanëve rreth kandidaturës së zotit Trump. Një pjesë mjaft e madhe e këtij elektorati, kryesisht votues me nivel të lartë arsimi, që jetojnë në lagje të pasura, nuk duan të përfaqësohen nga një kandidat me vlera si ato që i përfaqëson zot Trump.

Drejtuesit e fushatës së tij duhet të shqetësohen nga mundësia e kalimit të këtij grupi votuesish në anën e zotit Biden, të mbështesin një kandidat të mundshëm të tretë apo të mos marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Trump duhet të dëshmojë se e ka nën kontroll partinë e tij dhe se është në pozitë të fitojë në garën ndaj zotit Biden. Fitorja ndaj zonjës Haley, në shtetin e saj, do t’i ndihmonte atij.

NIKKI HALEY

Për zonjën Haley do të jetë më e vështirë të justifikojë qëndrimin në garë nëse humbet në Karolinën e Jugut, përballë zotit Trump, pas humbjeve qp ajo pësoi ndaj tij në Ajova dhe Nju Hempshër. Trysnia që ajo të tërhiqet nga gara do të rritet me shpejtësi.

Por, për zonjën Haley, e cila ka shërbyer në postin e ambasadores amerikane në OKB gjatë administratës Trump, qëndrimi në garë është edhe një shprehje e mbështetjes për votuesit republikanë, të cilat nuk e mbështesin zotin Trump.

Ajo gjithashtu ka një platformë ku shpreh shqetësimet e saj në lidhje me qasjen e zotit Trump ndaj sigurisë kombëtare, që i ka theksuar edhe më tepër pasi zotit Trump sugjeroi se do t'i lejonte Rusisë të kishte dorë të lirë me vendet e NATO-s që nuk përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.

Zonja Haley, megjithatë, duhet të mendoj edhe për pasojat që një seri humbjesh mund të kenë në shanset e saj për të kandiduar sërish pas 4 vjetësh.

Fushata e saj ka vënë në dukje një sërë garash paraprake që do mbahen të martën e 5 marsit ku ajo shihet si favorite, duke përfshirë Teksasin, Karolinën e Veriut dhe Virxhinian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat