Biden takohet me Yulia Navalnaya-n, e veja e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse

Amerika

Biden takohet me Yulia Navalnaya-n, e veja e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 18:56
Presidenti Biden takohet me familjen e opozitarit Navalny

Ndërsa Shtetet e Bashkuara shpallën sot sanksione të reja, kundër Moskës, pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, Presidenti Joe Biden u takua të enjten me të venë e tij në San Françisko. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, Presidenti Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme për një Rusi demokratike.

Gjatë takimit të enjten në Kaliforni me të venë e Alexey Navalny-t, Yulia Navalnaya-n, dhe vajzën e tyre, Dasha, Presidenti Joe Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike.

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G20 në Brazil, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për sanksionet amerikane kundër Rusisë lidhur me agresionin e saj kundër Ukrainës dhe vdekjen e opozitarit Navalny.

“…Navalny ishte një udhëheqës heroik në jetën dhe punën e tij. Por fakti që Vladimir Putini e pa të nevojshme ta përndiqte, helmonte dhe burgoste atë, flet shumë. Jo për fuqinë e Rusisë nën Putinin, por për dobësinë e saj”, u shpreh kryediplomati amerikan.

Të mërkurën, mediat ruse publikuan pamje filmike të arrestimit të një 33-vjeçareje me shtetësi të dyfishtë ruso-amerikane nën akuzat për tradhti. Gruaja nga Kalifornia po vizitonte familjen e saj në qytetin rus të Yekaterinburgut për vitin e ri. Mediat ruse nuk e identifikuan atë, por njoftuan se ajo akuzohet për tradhti për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Media të tjera njoftuan se ajo quhej Kseniya Karelina dhe disa të tjera përdorën mbiemrin Khavana, nga martesa e mëparshme.

Përmes një postimi në Instagram, punëdhënësi i saj në Los Anxhelos, “Ciel Spa”, tha se ajo akuzohet për tradhti pasi i kishte dhuruar 51 dollarë një organizate bamirësie ukrainase në Shtetet e Bashkuara. Kompania bëri thirrje për lirimin e saj. Zëri i Amerikës bisedoi me e saj, Eleanora Srebroski.

Më 2 janar ajo mbërriti në Yekaterinburg dhe u arrestua më 27 janar në dyshimet për huliganizëm, çka është qesharake. Unë e njoh atë, dhe ajo nuk është dikush që mund të bëj diçka të keqe. Kurrë në jetën time nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë të keqe apo të shajë. Ajo është një njeri pozitiv që rrezaton dritë dhe gëzim”, tha ish vjehrra.

Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë qasje konsullore për amerikanen e sapo arrestuar. Ai theksoi e Rusia i konsideron individët me dyshtetësi si shtetas rus.

“Është për të ardhur keq pasi Rusia vazhdon të arrestojë qytetarët e saj, vazhdon të arrestojë qytetarët amerikanë, dhe kjo është arsyeja se pse jemi përpjekur t’i paralajmërojmë shtetasit amerikanë që të mos shkojnë në Rusi, sepse rrezikojnë burgosjen nga regjimi rus”.

Lajmi të martën për arrestimin e ruso-amerikanes erdhi në të njëjtën ditë me vendimin e një gjykate në Moskë për mbajtjen në paraburgim të amerikanit Evan Gershkovich që punonte për gazetën Wall Street Journal, në pritje të gjykimit për akuzat për spiunazh që ai i mohon me forcë.

Ndërsa në mbarë botën vazhdojnë nderimet për opozitarin e ndjerë Navalny, nëna e tij njoftoi se ishte lejuar të shohë trupin e djalin të saj. Ajo tha se zyrtarët rusë po këmbëngulin për një funeral të fshehtë.

Një tjetër udhëheqës i burgosur i opozitës ruse, i cili u kthye vullnetarisht në Rusi, pavarësisht rrezikut, Vladimir Kara-Murza, foli nga burgu të enjten përmes një lidhje me video. Ai u bëri thirrje njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën që të mos dorëzohen përpara errësirës dhe dëshpërimit pas vdekjes së zotit Navalny, por të punojnë më shumë për ta bërë Rusinë një vend normal evropian, të lirë dhe demokratik./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat