Senatorët amerikanë zotohen për trysni ndaj Johnsonit për ta hedhë në votim pakon me ndihmë për Ukrainën

Amerika

Senatorët amerikanë zotohen për trysni ndaj Johnsonit për ta hedhë në votim pakon me ndihmë për Ukrainën

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 11:20
Senatorët amerikanë gjatë vizitës së tyre në Lviv, Ukrainë, 23 shkurt 2024.

Një delegacion i Senatit amerikan që e vizitoi Ukrainën të premten - i udhëhequr nga lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, - u zotua se do t’i bëhet trysni liderit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, për ta hedhur në votim një projektligj i cili përfshin ndihmë ushtarake për Kievin.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i thënë atij [kryetarit Mike Johnson] se çfarë mësuam këtu dhe do t’i bëjmë trysni haptazi për ta marrë vendimin e duhur”, tha Schumer pas një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Schumer, i cili ishte pjesë e delegacionit prej pesë senatorëve që biseduan me Zelenskyn në Lviv, tha se Johnson, një republikan nga Luiziana, duhet “ta bëjë gjënë e duhur”, duke shtuar se senatorët e tjerë janë të bindur se projektligji do të kalojë.

Schumer, një demokrat nga Nju Jorku, tha apo ashtu se Zelensky u ka thënë senatorëve se Ukraina do ta humbë luftën, nëse nuk merr ndihmë.

Senati e miratoi javën e kaluar një pako me ndihmë ushtarake, e cila përfshin 61 miliardë dollarë për Ukrainën. Presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë thirrje Dhomës së Përfaqësuesve ta miratojë atë, por Johnson i dërgoi në pushim dyjavor anëtarët, pa e hedhur fare në votim projektligjin.

Johnson, aleat i ish-presidentit Donald Trump, votoi kundër projektligjeve që ofronin ndihmë për Ukrainën, para se të bëhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Schumer tha se sikur forcat ukrainase gjatë mbrojtjes së Avdivkës të kishin më shumë armë dhe municion, rezultati do të kishte qenë ndryshe.

Javën e kaluar, forcat ukrainase u tërhoqën nga Avdivka, qytet në rajonin e Donjeckut, pas shumë muajsh luftime kundër forcave pushtuese ruse.

“Nëse Ukraina nuk merr mbështetje, Putini mund të shkojë mu në kufirin polak herët a vonë”, tha Schumer, duke shtuar se delegacionit amerikanë u kanë thënë pothuajse të gjithë gjatë vizitës, përfaqësuesit e ushtrisë, politikanët dhe diplomatët, se nëse Ukraina ndihmohet, atëherë ajo do ta fitojë këtë luftë.

Një senator tjetër, Jack Reed tha se Shtetet e Bashkuara duhet patjetër të vendosin për ta ndihmuar Ukrainën, në mënyrë që të mos detyrohen t’i dërgojnë atje trupat e veta.

“Siç e tha shumë mirë edhe senatori Schumer për kryetarin Johnson: Nëse vjen në Ukrainë, do ta shohësh varrezën që ne e pamë sot, nëse shkon te muri në Kiev, të cilin e vizitova për të vendosur kurorë me lule, do ta shohësh se njerëz të të gjitha moshave kanë vdekur në mbështetje të demokracisë”, tha Reed./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat