Qyteti i largët në shtetin Uashington, qendër e prodhimit të baterive për makinat

Amerika

Qyteti i largët në shtetin Uashington, qendër e prodhimit të baterive për makinat

Më: 6 mars 2024 Në ora: 19:40
Rosendo Alvarado

Përpjekjet e administratës së Presidentit Joe Biden për energji të pastër e kanë tjetërsuar një zonë rurale në shtetin e Uashingtonit në një qendër të prodhimit të baterive për automjetet elektrike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Natasha Mozgovaya njofton nga qyteza “Moses Lake” se zona bujqësore ka përqafur teknologjinë dhe vendet e reja të punës po sjellin përfitimet e para për zonën e largët.

Me një popullsi prej rreth 25,000 banorësh, qyteza rurale “Moses Lake” në shtetin lindor të Uashingtonit po integrohet në ekonominë amerikane të zhvillimit të energjisë së pastër, duke u bërë qendër e prodhimit të baterive për automjetet elektrike.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Nik Anderson i cili drejton programet e menaxhimit për firmën “Group14 Technologies”, prodhuese e një komponenti kyç për bateritë.

“Pranë meje ndodhen dy modulet e para të prodhimit në shkallë komerciale të teknologjisë tonë të baterive në qytezën Moses Lake. Kjo teknologji është pjesë përbërëse në shumë pajisje që lidhen me internetin”.

Prurjet në qytezë po ndihmojnë në transformimin e ekonomisë lokale nga bujqësia tek teknologjia e avancuar, thotë banori i zonës Rosendo Alvardo, menaxher në firmën e prodhimit të baterive “Sila Nanotechnologies”.

“Kemi punuar në këto fusha ku ndodhet sot ndërtesa. Qyteza po zhvillohet me ritme të shpejta nga ardhja e kompanive si Sila. Janë shtuar mundësitë si për banorët ashtu edhe tregun e makinave elektrike”.

Dy sipërmarrje të reja amerikane, të mbështetura nga 100 milionë dollarë grante nga qeveria federale, po përpiqen të sigurojnë zinxhirin e furnizimit të brendshëm për bateritë e makinave elektrike. Gene Berdichevsky drejton firmën “Sila Nanotechnologies”.

“Është një sfidë e madhe që të arrijmë nivelet e firmave aziatike që udhëheqin tregjet botërore. Synimi ynë është që të ndërtojmë gjeneratën e ardhshme të teknologjive të baterive”.

Firmat Sila dhe Group14 po zëvendësojnë grafinën në bateritë me litium me komponentë me bazë silikoni, thotë për Zërin e Amerikës Daniel Schwartz, drejtor i Institutit të Energjisë së Pastër në Universitetin e Uashingtonit.

“Minerali kryesor që po përdorim është rëra, dioksid silikoni. Është minerali më i përhapur në koren e tokës. Grafina ka efektshmëri më të ulët dhe tregtia amerikane është e varur sepse shumica e grafinës importohet nga vendet e tjera”.

Grant Ray thotë se kompania e tij “Group14” synon të zvogëlojë një nga pengesat kryesore për përhapjen e makinave elektrike, ankthin e karikimit të baterive.

“Sipas të dhënave, duhen rreth 10 minuta për karikimin e baterisë në masën rreth 80%. Por çfarë do të ndodhte nëse karikimi do të bëhej brenda 5 minutash? Si do të ndryshonte opinioni nëse karikimi bëhet njëlloj si furnizimi i makinës me karburant?”.

Administrata e Presidentit Biden i ka dhënë përparësi zhvillimit të makinave elektrike, duke e bërë atë pjesë të axhendës së ndryshimeve klimatike. Shumica e kandidatëve republikanë për president janë kundër.

“Ata duan që gjithçka të jetë elektrike dhe ju të mbeteni pa punë”, tha ish-Presidenti Donald Trump gjatë një tubimi në Miçigan në vitin 2023.

Zoti Berdichevsky, me firmën Sila Nanotechnologies, thotë se Amerika, e para në botë që prodhoi makina elektrike, duhet të vazhdojë novacionet.

“Bota do të shkojë drejt automjeteve tërësisht elektrike, pavarësisht nëse demokratët apo republikanët janë në Shtëpinë e Bardhë”.

Energjia e pastër mund të jetë një temë debati gjatë këtij viti zgjedhor, por qyteza Moses Lake shpreson të përfitojë nga zhvillimi i industrisë novatore që po sjell qindra vende të reja pune në atë zonë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat