Zgjedhjet presidenciale 2024, krimi ndër shqetësimet kryesore për votuesit amerikanë

Amerika

Zgjedhjet presidenciale 2024, krimi ndër shqetësimet kryesore për votuesit amerikanë

Më: 3 prill 2024 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Krimi është një ndër çështjet kryesore për votuesit amerikanë ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns i hedh një vështrim mënyrës se si dy kandidatët kryesorë për president, demokrati Joe Biden dhe republikani Donald Trump po i trajtojnë shqetësimet e votuesve amerikanë.

Krimi ishte ndër çështjet kryesore në mendjen e votuesve në zgjedhjet paraprake të martën në Nju Jork, ndërsa dy kandidatët kryesorë, demokrati Joe Biden dhe republikani Donald Trump pritet të përballen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Njujorkezja Goldalee, e cila i kërkoi Zërit të Amerikës që të mos e filmonte fytyrën e saj, thotë se ndihet më pak e sigurtë.

“Ekziston një energji dhe një aktivitet që nuk e kishim më parë, si me ata që mund të bëjnë krime ashtu edhe me njerëz që mund të kenë frikë nga individët që bëjnë krime”.

Votuesja Amy Pellettieri thotë se shqetësimet rreth krimit e bëjnë atë të tregohet më e kujdesshme.

“Ndihem shumë e sigurt në metro. E di që krimi është në rritje, e shoh në lajme, por nuk më ka rënë rasti të përballem. E di që po të tregohem e kujdesshme dhe të shmang situata që mund të jenë të frikshme për mua, do të jem mirë”.

Në këto zgjedhje, zoti Trump po bën fushatë si një kandidat për "ligjin dhe rendin" me zotimin që të forcojë policinë lokale. Javën e kaluar ai mori pjesë në funeralin e një polici të vrarë në qytetin e Nju Jorkut.

“Duhet ta ndalojmë krimin. Duhet të rikthehemi tek zbatimi i ligjit. Shumë gjëra duhet t’i bëjmë ndryshe sepse kjo nuk po funksionon. Kjo po ndodh shumë shpesh (vrasja e policëve)”, tha zoti Trump.

Një sondazh i muajit të kaluar nga organizata “Harvard CAPS-Harris” nxori në pah se votuesit amerikanë e shohin krimin dhe drogën si ndër çështjet kryesore me të cilat përballet vendi. Ky është një shqetësim edhe më i madh se kujdesi shëndetësor, terrorizmi dhe ndryshimet klimatike, edhe pse të dhënat e fundit nga FBI-ja tregojnë se krimi i dhunshëm pësoi rënie vitin e kaluar në të gjithë vendin, si në qytetet e mëdha ashtu edhe në të voglat.

Presidenti Biden, nga ana e tij, thekson rënien e krimeve si dëshmi e suksesit të administratës së tij me organet e zbatimit të ligjit.

Fushata e tij po u kundërvihet sulmeve të zotit Trump për krimin duke e lidhur atë me trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit, që ndërprenë procesin e certifikimit të zgjedhjeve presidenciale, një garë ku zoti Trump humbi.

Në një takim elektoral të zotit Biden merrnin pjesë punonjës të rendit që ishin në ndërtesën e Kongresit ditën e trazirave.

“Nuk ka nevojë të imagjinoni ç’do të ndodhë me demokracinë dhe Kushtetutën nëse Trump zgjidhet përsëri. Na e ka thënë dhe na e ka treguar. Gjashtë janari do të dukej si një provë e asaj që do të vijë. Nuk mund të varemi tek republikanët e Trump-it për të mbrojtur Kushtetutën, pasi ata e treguan se ishin kundër rendit dhe ligjit”, thotë Aquilino Gonell, ish polic në Kapitol.

Ndihmësit e zotit Biden thonë se përgjigja më e mirë për pretendimet e Trump-it për ligjin dhe rendin janë paditë e shumta ndaj tij për vepra penale. Republikani Trump thotë se paditë janë një ndërhyrje në zgjedhje nga një drejtësi e politizuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat