Biden, Trump debate më 27 qershor dhe 10 shtator

Amerika

Biden, Trump debate më 27 qershor dhe 10 shtator

Më: 16 maj 2024 Në ora: 06:13
Biden dhe Trump

Presidenti Joe Biden dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, ish-presidenti Donald Trump, ranë dakord të mërkurën për dy debate, një në 27 qershor dhe një tjetër më 10 shtator.

CNN njoftoi se zyrtarët e të dyja fushatave ranë dakord për të mbajtur përballjen e parë pas gjashtë javësh, në studiot e rrjetit televiziv në Atlanta dhe pa publik. Debati i dytë do te drejtohet nga ‘ABC News’.

Zoti Trump, i cili në vitin 2020 humbi garën ndaj zotit Biden për t'u rizgjedhur, ka bërë thirrje prej disa javësh për një seri debatesh parazgjedhore. Presidenti Biden ra dakord së fundmi mbi këtë çështje.

Të mërkurën, zyrtarët e fushatës se zotit Biden sugjeruar datat në qershor dhe shtator, ndërsa thanë se ai nuk do të merrte pjesë në tre debatet e propozuara për shtator dhe tetor, nga komisioni jopartiak për debatet presidenciale, që ka organizuar të tilla, prej tre dekadash.

Në një postim në faqen e tij në median sociale "Truth Social" zoti Trump shkruante se ishte "i gatshëm të debatonte" me zotin Biden muajin e ardhshëm dhe në shtator. CNN-i, njoftoi datën e debatit të parë pak kohë më vonë.

Të dy kandidatët ironizuan me njëri-tjetrin, lidhur me parametrat e debatit, si për shembull se për sa kohë do t'i mbyllej mikrofoni njërit kandidat ndërsa tjetri ishte duke folur dhe se sa kohë do të zgjasë secili debat. Çështje që janë lënë të diskutohen në vazhdim.

"Donald Trump humbi dy debate ndaj meje në vitin 2020 dhe që atëherë, ai nuk është paraqitur për një debat", shkruante presidenti Biden në një postim në platformën e mediave sociale X. "Tani ai po sillet sikur dëshiron të debatojë sërish për mua. Epo, ma bëj këtë nder, shoku", shkruante ai më tej.

Ish-presidenti Trump, nga ana e tjetër, shkruante se zoti Biden ishte "debatuesi më i keq me të cilin ai ishte përballur ndonjëherë”.

“Ai nuk mund t'i bëjë dy fjali bashkë”, shkruante ai.

Përpara se caktohej data 27 qershor, që është e enjte, për debatin e parë, kampi i zotit Biden ironizoi me zotin Trump, duke thënë se republikani ishte "i lirë të mërkurave", dita e zakonshme e pushimit për gjyqin penal që vazhdon ndaj ish-presidentit në Nju Jork.

Megjithatë procesi gjyqësor, që është parashikuar të zgjasë 6 javë, po shkon drejt fundit, e më pas pritet vendimi i jurisë.

Gjyqi ka shumë të ngjarë të përfundojë pas rreth dy javësh.

Debati në CNN do të jetë vetëm mes zotit Biden dhe zotit Trump, megjithëse rrjeti e la të hapur mundësinë që kandidati i pavarur, Robert F. Kennedy Jr., ose një tjetër kandidat, i një pale të tretë, që mund të arrijë një prag votash prej 15% për t’u përfshirë në fletëvotim, mund të përmbushë kushtet për t’u bërë pjesë e debatit.

Si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me kandidimin e zoti Kennedy, nga frika se ai mund të marrë vota të mjaftueshme në shtetet kyçe të fushëbetejës politike që mund të ndryshojnë trajektoren e rezultatit në rang kombëtar.

Në SHBA, vota popullore kombëtare nuk përcakton se kush bëhet president. Përkundrazi, zgjedhjet në thelb janë një votim shtet pas shteti, ku fituesi në secilin prej 50 shteteve, shpallet nga numri i votave elektorale. Kandidati qe arrin të sigurojë minimumi 270 nga 538 elektorë shpallet fitues i zgjedhjeve.

Shtetet më të populluara kanë më shumë vota elektorale dhe ndaj dhe një ndikim më të madh në përcaktimin se kush do të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë për një mandat të ri katërvjeçar që fillon më 20 janar 2025./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat