Kush është Zef Gjeloshaj vs Zeli i Tom Hasit

Amerika

Kush është Zef Gjeloshaj vs Zeli i Tom Hasit

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 3 qershor 2019 Në ora: 06:14
Zef Gjeloshaj

Rruga nga Podgorica në Triesh kalon nëpër Qafë të Rozdecit. Kjo është qafa më e lartë në Malësinë tonë. Nga Qafa e Rozdecit shihet një pjesë e madhe e Trieshit, bile edhe Podgorica dhe fushat për rreth. Nga kjy pozicion gjoegrafik të bjen në sy menjëherë Rudina dhe shtëpia e Tomë Hasit në rrënzë të Sukës, që për mua ishte diçka e vecantë sepse aty kishte lindur Kola i Tomë Hasit, njëri prej djemëve më të mirë dhe më të pashëm të kësaj treve. Ishte djalë e yll drite. Pas shërbimit ushtarak ishte kthyer në vendlindje tek prindërit  e tij Lula dhe Toma. Në atë kohë kthimi nga ushtria  ishte gëzim i madh për familje, por në këtë rast ky gëzim nuk zgjati shumë,ngase gjatë një stuhie  dhe breshëri e kishte qëlluar moti.  Vdekja e tij kishte qënë lajmi më tragjik që kisha dëgjuar ndonjëhërë në vëndlindjen time. Kjo tragjedi kishte ndodhur në gusht të vitit 1963. Trieshi dhe krejt Malësia kishte marrë pjesë në atë mort të madh. U dëgjuan gjëmtarë e vajtore si asnjë herë në Malësi. Një pjesë e madhe e popullit e kishte qajtur me lot. Të pranishmit ishin kurioz se kush do të mbante fjalim në emër të kësaj familje tepër të pikëlluar? Pak kush mendonte se mund të fliste babai i tij Tomë Hasi që te gjithë e shihnin se ishte shumë i pikëlluar.  Si sot më kujtohet momenti kur ky burrë  i lodhur nga mosha me shkop të pleqërisë në dorë u ngrit në këmbë për të falënderuar Malësinë për  pjesëmarrjen e madhe të popullit në varrimin e djalit të tij , i cili kujtohet edhe sot për oratorinë e tij klasike. Ndër të tjera kishte thënë:"  "Ne ishim të lumtun që e kishim këtë djalë me të cilin jetuam 23 vjet. Deri sot me dashninë dhe respektin e tij, por sot e mbrapa  do të jetojmë  vetëm me kujtimet e tij".Ai fjalim përmendet edhe sot e kësaj dite.Nga të parët e mi kisha dëgjuar fjalë të mira për këtë familje dhe isha kurioz për të mësuar edhe më shumë. 

Kështu para pak ditësh takova këtu në New York pinjollin e kësaj familje Zef Gjeloshaj, që në Triesh njihet me emërin Zeli i Tomë Hasit. Biseduam shoqërisht për shumë çështje sidomos për Trieshin dhe Malësinë. Edhe pse i shtyrë në moshë ishte mirë nga shëndeti,por për mrekulli kujtesën e kishte të shkëlqyeshme. Pavarësisht pyetjeve të mia për veprimtarinë e tij shoqërore, Ai ishte modest dhe nuk kishte asnjë pretendim. Është njëri prej malësorëve më modest që kisha takuar ndonjëherë. Më tregoi disa gjëra personale që për të cilat nuk isha në dijeni. Nga mënyra e të folurit shihej se është shumë i edukuar  dhe i arsimuar.   
Pas shkollimit në Tuz dhe në Podgoricë Zef Gjeloshaj  kishte vazhduar studimet e drejtësisë në Split të Kroacisë. Pasi kishte mbaruar studimet atje ishte kthyer në vendlindje dhe më vonë kishte dhënë provimet profesionale të punës në gjuhën shqipe dhe sërbo-kroate. Për më shumë se tri dekada kishte qënë këshillëtari Entit për Inkuadrim. Gjatë kohës që kishte punuar në këtë detyre Zef Gjeloshaj kishte ndihmuar qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti. Hyrja në punë të shtetit në atë kohë ishte tepër e rëndësishme, sepse ishte koha kur shqiptarët nuk kishin filluar emigrimin në vendet e huaja.  Zef Gjeloshaj si drejtor këshilltar i lartë i asaj zyre kishte lidhje me ndërmarrjet më të mëdha të Podgoricës dhe qyteteve tjera në atë republikë. Malësia dhe trevat tjera shqiptare vuanin nga varfëria e madhe. Jetesa në ato kushte ishte shumë e vështirë  dhe punësimi ishte i vetmi shpëtim për popullin tonë. Por çka e bënte Zefin edhe më të nderuar ishte dashuria dhe respekti  për gjuhën shqipe, dhe për traditat e mira të popullit shqiptar. Ai e fliste gjuhën shqipe në zyrë dhe kudo,bile edhe në praninë e sërbo-malazezëve, edhe pse shumë herë ata e shikonin me përbuzje. Nëse ndonjë malësor fliste sërbisht Zefi e qortone:" fol shqip nuk ka nevojë me folë sërbisht".  Zef Gjeloshaj i kishte ndihmuar edhe ata që shkonin për të punuar në vendet e ndryshme të Evropës, pastaj ata që kishin kërkuar  pensione dhe kompensime të ndryshme qeveritare. Jepte udhëzime edhe për sigurime shëndetësore.  Këshillat e tij  kishin rëndësi të madhe sepse pas përvojës shumëvjeçare kishte mësuar shumë nga sistemi. Zef Gjeloshaj në atë kohë luante rolin e avokatit të popullit.  Në bashkëpunim më disa malësorë tjerë të Podgoricës kishte kërkuar ndihmë për asfaltimin e rrugës së Trieshit, bile së bashku me Lucë Lucaj kishin udhëtuar në Amerikë në vitin 1986 për ngritjen e fondeve për asfaltimin e asaj rruge. Ato fonde ishin  përdorur për elektrifikimin e një pjese të Trieshit. Zefi kishte punuar seriozisht  për ndërtimin e infrastrukturës së Trieshit. Si nëpunës seroiz kishte lidhje me shumë zyra qeveritare të atij qyteti dhe lutjet e tij ishin marrë parasysh. Ai që e kishte ndihëmuar Triershin shumë tregon Zefi ishte Milan Savi. 
Ky pinjoll i familjes fisnike të Hasa Nikë Gjeloshit dhe djemtë e bijat e tij i qëndruan besnik gjuhës shqipe, sepse ata flisnin shqip në shtëpi në qytetet dhe në rrethet shoqërore, pavarësisht se ishin ofenduar disa herë për këto sjellje antishqiptare, bile edhe në shkollat e Podgoricës. Njëra prej bijave të Zefit tregon se gjatë orës së mësimit  arsimtari kishte bërë pyetjen: " Emëri I të cilës kafshë fillon me germën (sh)? Një nxënës i mbrapshtë antishqiptar ishte përgjigjur: "sh-shiptari". e bija e Zefit ishte  njderë shumë keq dhe e  fyerë edhe më shumë ngase arsimtari nuk kishte reaguar kundër atij nxënësi faqezi.Gjatë jetesës në Podgoricë e gjthë familja e tij  kishte përjetuar momente të tilla. 
Zef Gjeloshaj kishte marrë pjesë në shumë pajtime në Malësi, bile pas rënjes së diktaturës edhe në Shqipëri. Zefi kishte përfaqësuar Trieshin, ashtu siç e kishin përfaqësuar edhe të parët e tij. Kishte qënë shumë i sukseshëm këtu në Amerikë në fushatën për ndërtimin e FUNERALIT në Vuksanlekaj. Para dhe pasardhësit e Tomë Hasit ishin kujdesur për pothuajse 250 vjet për varrin e Vuksan Gelës. Ky trim legjendar i Malësisë shumë herë ishte strehuar në Triesh, nga përndjekjet e ushtrisë turke, siç duket pjesën më të madhe e kishte kaluar tek të parët e  tij.  Për strehimin e Vuksan Gelës në shtepinë e tyre Zefi nuk më tha asnjë fjalë ,ky është opinioni im. Zefi tha se aty afër tokës së tyre është  një gropë që i thonë " Gropa  e Nikë Vuksan Gelës". Tomë Hasi dhe të parët e tij gjithmonë në Ditën e Shna Kryqit vendosnin mbi varrin e tij kryqin, sipas traditës fetare. Në kohën kur Turqia sundonte në Malësi,disa ushtarë turqë u kishin hypur kuajëve dhe kishin kërkuar të vizitonin vorrin e Vuksan Gelës. Prijësi i Trieshit në atë kohë Dedë Lokja u kishte prirë drejtë Majës së Lëmueme ku pushonte në përjetësi Vuksan Gela. Por në rrugë e sipër ishte kujtuar amaneti i Vuksan Gelës: "Dua të varrosem atje ku nuk mund të më shkelë këmba e kalit turk".  Pasi kishin kaluar gjysmën e rrugës Dedë Lokja u kishte thënë se ishte e pamundur dalja e tyre me kuajë në Maje të Lëmueme, ngase nuk kishte më rrugë kuajsh. Dhe siç duket ata ishin kthyer mbrapa.
Lula, nëna e Zef Gjeloshaj ishte e bija e Dok Gjeloshit të Trieshit i përmendur për bujari e mirësi. Dok Gjeloshi ishte fisnik legjendar. Kështu kishin qënë edhe djemtë dhe bijat e tij, dy prej të cilëve kishin imigruar në Amerikës 60 e sa vjet më parë. Për Lucë Dokën e Dokë Gjeloshit që njihej me emërin Lucë Lucaj kishim mësuar të gjithë, nga se kishte punuar tërë jetën për arsimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Do te ishte mirë sikur historianët malësorë dhe shqiptarë të bënin kërkime për të kaluarën e kësa familje të mrekullueshme. T'i qëndrosh besnik kombit, gjuhës dhe fesë së parëve për 7 breza nuk është e lehtë. Nuk janë shumë familje shqiptare që t'u kenë qëndruar këtyre parimeve të larta kombëtare dhe njerëzore siç kanë qëndruar brezat e kësaj dinastie. Trimat e kësaj dere mund të krahasohen me burrat e derës së Gjon Marka Gjonit të Mirëditës të Çun Mulës së Hotit  dhe Binak Alisë së Dukagjinit.

Themelet e kësaj shtëpie zamadhe i kishte vënë Mark Gjeloshi, babai i Marash Markut, kapedanit  të Trieshit  dhe njohësit të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe besnikut të armëve të Gjergj Kastriot Skenderbeut. Para tre muajsh Zef Gjeloshaj dhe zonja e tij Vitorja e Kolë Marash Ucit kishin udhëtuar nga New Yorku në Malësi  për të inkurajuar dhe uruar djalin e vëllaut të vogël arsimtarit të mirënjohur Gjelosh Gjeloshaj për fitoren e tij në votimet e Malësisë dhe Tuzit.  Zefi dhe zonja e tij kishin parandjerë këtë fitore. Kolë Miri i Hotit më ka pas thënë: "Askush nuk bahet burrë i mirë nëse neron vetëm djelmtë  ose vajzat e veta". Sikur të bëhej një anketë e opinionit publik në Malësi, kush është sot burri më i nderuar i atyre trojeve?  Besoj se Zef Gjeloshaj do të zinte vendin e parë. S'ka dyshim se fitorja e Nikë Gjeloshaj ishte njëra prej ditëve më të lumtura të jetës së tij. Familjarët tregojnë se Nikë Gjeloshaj gëzon respekt dhe dashuri të madhe për axhën e tij, bile thonë se shumë karakteristika të mira kombëtare dhe shoqërore i kishte mësuar prej tij. Në vitin 2016 kjo familje u godit edhe nga një tragjedi tjetër, njësoj si ajo tragjedia e vitit 1963, pasi që nipi i Zefit dhe i Vitores, Viktor Vulaj kishte humbur jetën në mënyrë tragjike në moshën 20-vjecare. Ky nip i dashur i kësaj familje ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë. Ai kishte qënë nipi më i mirë i kësaj familje. Vdekja e tij i kishte qëlluar rëndë prindërit e Viktorit, por ndoshta edhe më shumë gjyshin dhe gjyshen Zefin e Vitoren. Kjo dhimbje tha Zefi po na rëndon shumë në pleqërinë tonë sepse nipi ynë ishte djalë i mrekullueshëm dhe student shëmbullor. Ky çift i moshuar gjysmën e kohës e kalon në Malësi dhe gjysmën tjetër në Amerikë, ngase familja e tyre është e ndarë përgjysmë mes Amerikës dhe Malësisë. Takimin me këtë burrë të vendlindjes sime e kujtojë përgjithëmonë. Është njëri ndër malësorët shqiptarë më serioz dhe më të sinqertë që kam takuar ndonjë herë në jetën time. Më kujton personazhet historike të veprave poetike dhe letrare te gjuhës sonë ku bëjnë pjesë   "Lahuta e Malësisë" dhe shumë vepra të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat