Kryeziu: Të investohet sa më shumë në atletikën e Kosovës 

Atletika

Kryeziu: Të investohet sa më shumë në atletikën e Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 prill 2019 Në ora: 10:21
Suad Kryeziu

Atletika në vendin tonë ka nevojë të madhe për investime në infrastrukturë, sidomos i duhet edhe një stadium i posaçëm! Suad Kryeziu prej atletëve më të mirë në Kosovë, i cili po vazhdon karrierën në klubin francez Montluçon athletic, tha se duhet shumë investime në atletikë, që të krijohen kushte më të mira për stërvitje. Kryeziu është atlet i shtigjeve të gjata që me vite të tëra ka shënuar rezultate të lakmueshme, tani po arrin rezultate të mira edhe në klubin Montluçon.

Synimet e tija janë që të përgatitet sa më mirë dhe të shënojë rezultate edhe më të mira në Francë. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tha se ka 13 vite që merret me mbretëreshën e sporteve dhe për sukseset e deritashme iu është mirënjohës edhe trajnerit të Roganës, Zijadin Kryeziut, nga ai cili ka mësuar shumë gjëra. Kryeziu ka folur për kushtet që ka atletika në vendin tonë, çfarë i duhet më shumë dhe a do të marr pjesë në gjysmëmaratonën ndërkombëtare “Prishtina 2019”, e cila organizohet për të 19-tën herë me radhë.  

“Bota sot”: Qe sa vite merreni me atletikë dhe si iu lindi dashuria ndaj këtij sporti?
Suad Kryeziu
: Me atletikë merrem që 13 vite pa ndërprerë dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur shumë suksese të ndryshme si brenda vendit po ashtu dhe jashtë vendit, falë punës së madhe dhe përkushtimit të madh që kisha për atletikën. Fillova si shumica e atletëve në krose komunale ku zura shumë herë vende të para, pastaj u regjistrova në klubin më të mirë në Kosovë, klubin atletik Rogana.

Së pari me propozuan trajnerët e mi Zijadin Kryeziu dhe Shehat Rrudhani, si dhe fillova të stërvitem me atletët tjerë dhe menjëherë në ato vite garova në nivel shtetëror në Kampionatin e Kosovës për pionier dhe arrita të dal i pari në dy gara, në 100 metra dhe 300 metra, prej aty vetëm se fitova një vetëbesim se mundem më shumë dhe kam një talent dhe prej atëherë nuk jam ndalur kurrë deri me tani.

Mendoj se kisha suksese mjaft të mira për shumë vite radhazi, kam mbizotëruar në vrapimet e gjata dhe tani më nuk jam në Kosovë, por prapë në Francë jam duke u stërvitur pavarësisht se kisha disa lëndime. Tani jemi në hapa të sigurt dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën që të tregojmë edhe këtu një përformancë sa më të mirë.
“Bota sot”: Garoni në shtigjet e gjata, sa është vështirë, cili ka qenë suksesi më i mirë dhe zhgënjimi më i madh deri me tash?
Suad Kryeziu:
Vrapimet e gjata janë shumë të vështira si çdo vrapim tjetër por këto vrapime dojnë pak më shumë kohë dhe mund sepse janë pak më të vështira, marrin kohë më të gjatë, duhet stërvitur dy herë në ditë dhe ne kalojmë shumë kilometra gjatë ditës, ndodhë ndonjëherë që t’i kalojmë afër 40 kilometra në ditë dhe për këtë duhet shumë ta bëjmë pushimin si duhet dhe të përqendrohemi sa më shumë për në stërvitje dhe pushime për të pasur suksese.

Suksese kam pasur shumë, të them të drejtën si në Kosovë dhe jashtë vendit kam fituar shume tituj, tani dhe në Francë kam bërë një vrapim këtë vit në kros regjional, në të cilin kishte shumë garues të njohur dhe arrita të dal në vendin e tretë përkundër disa lëndimeve që kisha dhe ky ishte një sukses shumë i mirë për mua. Sa i përket zhgënjimeve normal se kam pasur shumë herë sikurse çdo atlet, sepse jemi ballafaquar shumë herë me padrejtësi të ndryshme por gjithmonë nuk jemi dorëzuar, ndoshta ajo na ka bërë edhe më të fortë që të vazhdojmë tutje, gjithashtu kemi pasur shumë mungesa të mëdha të kushteve elementare, si për stërvitje dhe gjëra tjera të ndryshme.

Shpresoj që të rregullohen gjërat dhe të investohet sa më shumë në atletikën e Kosovës, se më të vërtet kemi talent shumë të mëdhenj vetëm se duhet përkushtim dhe investim.
“Bota sot”: Me 28 prill mbahet gjysmëmaratona ndërkombëtare “Prishtina 2019”, a do të merrni pjesë?
Suad Kryeziu:
Të them të drejtën për momentin nuk jam duke stërvitur për 21 kilometra,  por për me shkurt, pra për 3000 metra deri në 10.000 metra dhe kam disa aktivitete tani dhe nuk do të jem në gjysmëmaratonën e Prishtinës, edhe pse shumë vite kam vrapuar në atë garë, sidomos në vrapimin 5 kilometra e shpresoj se në ndonjë garë tjetër ndoshta do të garoj edhe në Kosovë kur të jemi në pushime atje.
“Bota sot”: Sa është vështirë të jesh atlet në Kosovë, ku më shumë stërvitet në tokë e në fusha me bari, por nuk kanë shteg me tartan?
Suad Kryeziu:
Në Kosovë është shumë vështirë të stërvitesh se me të vërtet ka shumë pak kushte tani dhe është ndoshta pak më mirë, kanë filluar të rregullohen disa gjëra si në infrastrukturë dhe disa gjëra tjera, kanë filluar të ndërtohen disa stadiume me pistë të atletikës edhe pse pothuajse asnjë në Kosovë nuk i plotëson kushtet për garat ndërkombëtare dhe të nivelit më të ultë ndoshta, ndërsa këtu kemi stadiume çdo kilometër dhe janë kushtet shumë më të mira dhe normalisht se është niveli shumë me i lart kur i kanë të gjitha mundësitë.

“Bota sot”:  Ka vite që merreni me atletikë, a më shumë i dhatë apo fituat?
Suad Kryeziu:
Të them të drejtën në Kosovë nuk kemi fituar shumë, pak ndoshta ta krahasojmë me mundin që kemi bërë, nuk është shpërblyer aspak ai mund dhe ato merita që i dhamë për atë vend, por vullneti i madh i mund të gjithat dhe njeriu kur e donë një gjë normalisht se lufton deri në pikën e fundit për të pasur sukses sa më shumë pavarësisht a ka ndonjë interes të madh nga ajo punë.
“Bota sot”: Çfarë pret gjatë këtij viti?
Suad Kryeziu:
Në këtë vit pres të bëjë disa gara të ndryshme rrugore dhe në pistë të atletikës. Shpresoj edhe të thyej ndonjë rekord personal ndoshta edhe shtetëror, pasi jemi duke punuar shumë mirë dhe jemi në hapa të mirë dhe besoj që do të jem në një formë më të mirë se asnjëherë më parë dhe po pres me padurim që të fillojnë garat për mua se shpejti.

“Bota sot”: Përveç si atlet, me çfarë merret Suadi në jetën private?
Suad Kryeziu:
Momentalisht jam duke kryer edhe një shkollë ashtu për gjuhën frënge dhe është formacion profesional me lëndë të ndryshme për t’u aftësuar për punë të ndryshme dhe shpresoj mbas mbarimit të këtij formacionit që të kem edhe ndonjë punë sa më të mirë dhe të mundem ti kryej të dyja në të njëjtën kohë dhe punën dhe atletikën, sepse atletikën e kam në zemër dhe shpresoj të merrem me të deri në pikën e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat