Mazreku: Me Malishevën presim disa rekorde 

Atletika

Mazreku: Me Malishevën presim disa rekorde 

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2019 Në ora: 17:51
Adrian Mazreku

Si çdo sport në vendin tonë edhe mbretëresha e sporteve po ballafaqohet me hallet të shumta.  Klubi i atletikës Malisheva me gjithë vështirësitë që ka, pa stadium të atletikës, synojnë të dominojnë në të gjitha garat vendore. Trajneri i këtij klubit, Adrian Mazreku, ka deklaruar se kanë një brez të mirë dhe punojnë me përkushtim që të arrijnë suksese në të gjitha disiplinat. Mazreku tha se me kalimin e viteve edhe cilësia po rritet, por ajo që e kënaq më së shumti është se ka një numër të madh të garuesve të talentuar që premtojnë shumë për të ardhmen. Ai shpreh brengën e mungesës së një stadiumit të atletikës në Malishevë, ku edhe rezultatet do të ishin më të mira.

“Bota sot”: Si e sheh KA Malishevën gjatë këtij edicionit?
Adrian Mazreku:
Përpos fitores se Kupës, që e fituam me 19 maj, unë pres të fitojmë edhe Kampionatin e Kosovës për grupmosha të reja, po ashtu edhe shumë gara tjera vendore dhe ndërkombëtare, si dhe vendosjen e disa rekordeve të grupmoshave të reja!
“Bota sot”: Sa jeni te kënaqur me kushtet dhe fondin e garuesve që ka Malisheva?
Adrian Mazreku:
Kemi një numër të madh të atletëve të rinj që premtojnë shumë në të ardhmen.

“Bota sot”: Sa është vështirë të stërvitesh pa stadium të atletikës?
Adrian Mazreku
: Pa shteg të atletikës është vështirë të arrihen rezultate të larta, që do të mund të fitonim gara të mëdha ndërkombëtare. Në Malishevë, shtegut të atletikës i është ndërtuar bazamenti me asfalt dhe tani po presim që MKRS-ja ta përfundoi shtegun duke e vendosur materialin sintetik (tartan).

“Bota sot”: A kemi rritje të cilësisë dhe të përmirësimit të kohës në disiplinat e ndryshme?
Adrian Mazreku:
Cilësia po rritet çdo vit dhe ne presim disa rekorde në garat në vijim gjatë këtij viti si e patëm në garën e Kupës, ku atletët tanë vendosën rekord në disiplinën 4 x 100 metra për grupmoshën U 16 meshkuj.
“Bota sot”: Çka i duhet më shumë atletikës?

Image

Adrian Mazreku: Atletikës i duhet përkrahje për rregullimin e infrastrukturës dhe kuptohet mjete financiare si çdo sporti.

“Bota sot”: Çfarë synoni me klub?
Adrian Mazreku
: Synimet tona janë të dominojmë në garat e Kosovës për grupmoshat e reja, të fitojmë disa gara me atlet të rritur dhe të marrim pjesë në disa gara ndërkombëtare me disa atlet të rritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat