Asnjë urim nga ministria, Smajlaj flet edhe për garën në Beograd

Atletika

Asnjë urim nga ministria, Smajlaj flet edhe për garën në Beograd

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 10:14
Asnjë urim nga ministria, Smajlaj flet edhe për garën në Beograd

Përtej shumë prob lematikave, duke nisur që nga mungesa e terreneve sportive (Tirana është i vetmi në kryeqytet në botë që nuk ka pistë atletike) deri te mosçelja e fondit grant, Kombëtarja Shqiptare e atletikës bëri një paraqitje fantastike në Kampionatin Bllkanik “lindor” si dhe në mitingun ndërkombëtar të Stambollit.

2 medalje ari dhe 1 bronzi në ballkaniadë, si dhe 3 ari në miting, ishte bilanci i kuqezinjve në eventet e Turqisë. Një ndër protagonistët e medaljeve ishte Izmir Smajlaj. Kampioni i kërcimit për së gjati fitoi 2 medalje ari, duke kërcyer 7.91 në ballkaniadë dhe 7.94 metra një ditë më pas në miting.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Smajlaj i komenton kështu rezultatet e arritura në Stamboll: “Ishte gara ku u paraqita shumë mirë dhe jam i kënaqur me rezultatet, pasi edhe rivaliteti ishte gjithashtu mjaft i lartë”. Por, atleti shkodran ndihet i zhgënjyer për mënyrën se si trajtohen sportistët në Shqipëri, ku ndonëse arriti të marrë medalje, ligji shqiptar ndryshe nga vendet e tjera nuk parashikon asnjë shpërblim për këto arritje ballkanike: “Është më shumë se një Kampionat Ballkanik, pasi është kthyer në një Ligë, ku marrin pjesë 23 shtete dhe për çudi nuk ka asnjë shpërblim.

Nuk e kuptoj përse Ministria e Sportit nuk e bën me ligj, që kush del kampion Ballkani të paktën të përfitojë diçka, qoftë edhe 1000 apo 2000 euro, ashtu siç e ka edhe Kosova. Po kthehemi me medalje nëpër gara të ndryshme, ndërkohë që nuk po marrim asnjë lekë. Të gjitha shtetet e botës i vlerësojnë sportistët e tyre dhe i paguajnë për medaljet, ndërsa në Shqipëri ndodhin çudira. Nuk besoj se është ndonjë gjë kaq e komplikuar, pasi me një ndryshim të vogël në ligj mund të rregullohet pjesa e shpërblimit për kampionët e Ballkanit. Lodhemi dhe çdo ditë për të marrë këto rezultate, të paktën të na dalë në pah puna”, thotë Izmir Smajlaj.

I pyetur nëse ka marrë urime nga shteti, për këto arritje, Smajlaj thotë: “Vetëm kryetari Bashkisë së Tiranës më ka uruar nëpërmjet telefonit, gjë që e bën çdo herë e për këtë dua ta falënderoj.

Ndërkohë, dua të falënderoj edhe Komitetin Olimpik për mbështetjen që më ka dhënë. Për sa i përket Ministrisë së Sporteve, ende nuk kam marrë asnjë urim prej tyre. Këtu në Shqipëri duan që të dalësh kampion Europe, pasi medaljet e tjera nuk u interesojnë shumë. Harrojnë që të triumfosh në një event me 23 shtete, nuk është diçka e pakët”, shprehet 26-vjeçari.

Në fund, Smajlaj flet edhe për garën e radhës që do të mbahet më 27 shkurt në Beograd, ku i ka objektivat e qarta: “Është një miting ndërkombëtar ku do të tentoj kapjen e normës olimpike”, përfundon shkodrani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat